E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senati Amerikan: Shqipëria të ftohet për në NATO

Komisioni i Jashtëm i Senatit amerikan ka shprehur dje nëpërmjet një rezolute të posaçme, mbështetjen për integrimin e vendeve të Kartës “Adriatik 3” në NATO. Komisioni në fjalë ka vlerësuar përpjekjet integruese të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, si dhe ka vlerësuar angazhimin e këtyre vendeve në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare. “Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë arritur progrese domethënëse në konsolidimin e demokracisë, forcimin e tregut të lirë, në sektorin ushtarak, si dhe në fusha të tjera. Pjesëmarrja e këtyre vendeve në misionet më të rëndësishme ndërkombëtare paqeruajtëse, si në Irak e Afganistan tregon se ato janë në rrugën e duhur për anëtarësim”, theksohet në rezolutën e miratuar në senatin amerikanë. Sipas tij, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia janë përgatitur për anëtarësim në NATO prej 8 vitesh. Senatori Lugar argumenton se vendet e A3 mund të luajnë rol të rëndësishëm në aktivitetet e NATO-s. Senatori amerikan Richard G. Lugar si propozues i rezolutës në senatin e SHBA, ka kërkuar që Shqipëria, Maqedonia, dhe Kroacia të marrin ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e prillit në Bukuresht. Në këtë rezolutë, përmenden me radhë arsyet përse këto tre vende të A3 kanë përmbushur kushtet për t’u anëtarësuar. Sipas tij Shqipëria, Kroacia, Maqedonia janë të gatshme për anëtarësim në NATO prej tetë vitesh. Gjithashtu këto vende kanë bërë progres demokratik dhe transformim të tregut të lirë, kanë kontribuar me trupa në misionet me mandat të OKB-së si dhe kanë bërë progres për të vendosur komandë civile të forcave ushtarake. Lugar argumenton që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia mund të luajnë rol të rëndësishëm në aktivitetet e NATO-s në Europën Juglindore për shkak të pozicionit të tyre unik gjeostrategjik në mënyrë që të shmanget çdo lloj dhune në Ballkan. Gjithashtu Lugar sugjeron që SHBA e cila mbështeti shtetin e ri të Kosovës duhet të ndihmojë dhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›