Xhaferri: Debati për listat zgjedhore nuk mund të mbajë peng reformën zgjedhore
Zoti Xhaferri, zhvillimet e fundit politike, duket se kanë hyrë në debate të gjëra dhe shpesht konfliktuale, për sa i takon reformës zgjedhore, aq sa nga opozita kanë filluar rebelimet e para. Sa mund të reflektojë tendenca e kësaj situate politike në ngadalësimin e procesit të reformës elektorale që mbetet një nga kushtet më jetike, pas të cilit varen fatet e vendit për në NATO?
Është e vërtetë se për reformën zgjedhore brenda të majtës janë ekspozuar probleme që kanë të bëjnë si me interesa parimore dhe me interesa te mirëfillta pragmatiste të partive politike. Reformat në përgjithësi prekin interesa dhe nuk mund t’i kënaqin të gjithë. E rëndësishme është që reforma të ruajë rregullat e lojës së ndershme politike me kusht që asnjë nga aktorët politikë të mos përfitojë padrejtësisht nga favore që mund të krijojë sistemi. Në këtë konceptim, fakti nëse listat janë të hapura apo të mbyllura nuk cënon parimin e shenjtë të lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve dhe për rrjedhojë nuk mbart argumente të qenësishme për të bllokuar procesin. Kështu që partitë politike duhet të angazhohen denjësisht për të konfirmuar një reformë dinjitoze dhe që ti shërbejë interesave të elektoratit në mënyrë parësore dhe forcat politike të ruajnë ekuilibrat e tyre.
Ç’qëndrim pritet të mbajë PD-ja me aleatët e saj, lidhur me debatin
e hapur tashmë, atë të përcaktimit të sistemit elektoral? A kanë filluar konsultimet me anëtarët e koalicionit, konkretisht edhe për pragun elektoral?
Partia Demokratike, tashmë, e ka shprehur qëndrimin e saj duke e lënë
si zgjedhje të opozitës përcaktimin e sistemit. Pra, si sistemi edhe pragu elektoral janë çështje të tolerueshme nga shumica parlamentare. PD-ja
dhe qeverisja e saj mbetet tërësisht dhe denjësisht e angazhuar për të përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu, qeveria ka shprehur afatet e hartimit të regjistrit elektronik të gjendjes civile sikurse ka hapur procedurat e prokurimit për kartat e identitetit. Qeveria ka premtuar se në zgjedhjet e 2009-s nuk do të ekzistojë më problemi i listave të zgjedhjeve apo i certifikatave dhe kjo nuk është pak.
Po përsa i përket sistemit zgjedhor, çfarë qëndrimi do të mbahet nga demokratët?
Të deklarohesh se çështjen e sistemit të zgjedhjeve ja le si mundësi zgjedhjeje opozitës, mendoj se është oferta më e mirë politike që mund të ofrojë një shumicë për të garantuar mbarëvajtje të procesit të reformës zgjedhore. Pavarësisht kësaj dhe respektimit për vendimet politike që do merren, personalisht mendoj se sistemi mazhoritar është më i miri. Ai e bën politikën më të përgjegjshme duke e vënë politikanin nën presionin e ballafaqimit me elektoratin dhe duke i lënë mundësi votuesit të përcaktojë nëse duhet te shkosh në shtëpi apo të vazhdosh karrierën politike.
Partitë e vogla kanë hedhur hipotezën se PD dhe PS kanë rënë në ujdi nëpërmjet një marrëveshjeje të fshehtë në kundërshtim me partitë e vogla dhe që shkon në përpjestim të zhdrejtë me marrëveshjen e nënshkruan ndërmjet forcave politike. Cili do të ishte reagimi juaj dhe i PD-së në këtë aspekt dhe sa e cenon frymën e bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës, aq të domosdoshme në prag të Samitit të NATO-s?
Përgjegjësitë madhore që qëndrojnë mbi dy forcat kryesore politike lidhur me ecurinë dhe konkretizimin e reformës zgjedhore dhe të gjitha iniciativat që burojnë nga këto përgjegjësi nuk janë as ujdi dhe as pazare të fshehta të dy forcave kryesore politike. Natyrisht që reformat për vetë natyrën e tyre krijojnë pakënaqësi dhe nëse reforma nuk shkon sipas interesit të partive të vogla kjo nuk do të thotë se ka pazare apo ujdi të fshehta të partive të mëdha. Reforma duhet të garantojë në radhë të parë më shumë mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndikimi që kanë listat e hapura apo të mbyllura duhet të interpretohet vetëm nën këtë optikë. Nga këtu kuptohet qartë se edhe listat e hapura mbeten një alternativë demokratike. Por po të nisemi nga eksperiencat e shkuara me zgjedhjet listat e hapura ekspozojnë disa probleme. Këto probleme lidhen me mundësitë më të mëdha për të tensionuar fushatën zgjedhore për vetë aktorët që ftojnë për të konkurruar në fushatë listat e hapura.
Megjithëse është theksuar vazhdimisht nga faktorë të ndryshëm politikë se mbeten të angazhuar tërësisht pas komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, përsëri nuk është hedhur ende hapi i parë në këtë drejtim. Cilat janë pengesat kryesore që po has ky proces? Dhe cili është apeli që u bën PD-ja partive të tjera, për ta konkluduar këtë reformë para samitit të Bukureshtit?
Reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë nuk mund të konkludohen dhe nuk ka mundësi të konkludohen para Samitit të Bukureshtit. E rëndësishme për tu theksuar është fakti se për të dyja këto reforma, politika po përcjell mesazhin e duhur. Pra të gjithë aktorët e politikës me qëndrimet e tyre kanë ekspozuar se mbeten maksimalisht të angazhuar për të ecur në drejtimin e duhur për këto reforma të rëndësishme. Kjo frymë solli si produkt edhe ligjin konsensual për organizimin e sistemit gjyqësor dhe mendoj se së shpejti do të kemi produkte edhe për reformën zgjedhore.
Bisedoi Leonard Quku