Edvini vendos për proporcionalin rajonal dhe daljen vetëm në zgjedhje
Partia Socialiste ka deklaruar dje se do të mbështesë në vazhdimësi një sistem elektoral proporcional rajonal. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi dje se sistemi aktual për reformën zgjedhore, është një sistem i dështuar, pasi solli shumë deformime përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri”. “Për kryesinë e PS-së sistemi aktual është një sistem i padiskutueshëm më. Jemi drejt një opsioni të një sistemi proporcional rajonal, natyrisht dhe kalimin nga zonat me lista një emërore në zona me lista shumë emërore”, u shpreh Leskaj. Sipas saj, ky lloj sistemi do t’i shërbejë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe do të shmangë përfundimisht mundësinë e transferimit, tjetërsimit apo abuzimit me votën e shqiptarëve. “Ne jemi të hapur dhe në pritje të reflektimit, të diskutimit dhe bashkëpunimit me të gjithë aleatët tanë të opozitës. Ne do të pranojmë të ulemi me ta dhe të diskutojmë, por përsa i përket qëndrimit të PS-së, sistemi aktual nuk diskutohet më dhe jemi për kalimin nga zona me lista një emërore në sistemin me lista shumemërore, të cilat sjellin ndryshim të madh përsa i përket zgjedhjeve”, deklaroi Leskaj. Ajo u shpreh se “partitë e vogla janë të lira të bëjnë zgjedhjen e tyre, por PS është e hapur, dhe në pritje nëse ata do të reflektojnë ose gjejnë pika të përbashkëta për të diskutuar me ne”. Këtë deklaratë Leskaj e bëri pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së tryezës së krerëve të partive politike të vogla, të cilët kundërshtuan opsionin e propozuar nga dy partitë më të mëdha në vend, në lidhje me reformën zgjedhore.
Koçi: Anëtarësia e PS-së të vendosë për sistemin elektoral/Deputeti socialist, Petro Koçi, propozoi, që për t’i dhënë një zgjidhje institucionale debatit të brendshëm në PS, lidhur me alternativën e partisë për sistemin zgjedhor, duhet që vendimin ta marrë anëtarësia e PS. Sipas tij, Asambleja Kombëtare, sipas statutit, organizon votimin e drejtpërdrejtë të anëtarësisë. Ndaj ai theksoi se “nëse duam ta bëjmë praktik vullnetin, sipas të cilit pushtetin vendimmarrës tashmë e ka anëtari i partisë, atëherë ky propozim duhet të pranohet menjëherë”. “Ndryshe nga kryesia e partisë unë mendoj se në listën e kandidatëve që do propozojë PS për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, rreshtimin të mos e bëjë kryetari, por elektorati me votën e vet. Sidoqoftë vendimin përfundimtar për këtë çështje duhet ta marrë anëtarësia e partisë. Shpresoj që ky propozim të mirëkuptohet nga forumet e PS-së”, tha ai.
Patozi: PD, e gatshme për një mazhorancë anti-Dushk/Kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, deklaroi dje se Partia Demokratike do të pranojë çdo lloj sistemi zgjedhor që do të propozojë opozita, por sigurisht që i takon forumeve të PD-së për të vendosur mbi modalitetet dhe detajet e këtij procesi. “Pozicionimi zyrtar i PS-së për një sistem të caktuar, mund ta orientojë më drejt debatin për reformën zgjedhore në Shqipëri, pasi, për hir të së vërtetës, duhet të themi se ky debat ka ndjekur rrjedha shumë të çuditshme, gati qesharake”, deklaroi z. Patozi. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit mbi këtë reformë, z. Patozi tha se “është kaluar nga entuziazmi për proporcionalin, në skepticizmin për mazhoritarin, është kaluar nga Gjermania në Spanjë dhe nga Maqedonia jemi kthyer sërish në Tiranë”. “Të diskutosh sot për një sistem të afërt me këtë që kemi, do të thotë që të pranosh dushkun, do të thotë që të mos pranosh reformën dhe kjo është një fyerje për të gjithë qytetarët shqiptarë, është një fyerje për politikën, por edhe për aleatët tanë euroatlantikë, të cilët reformën zgjedhore e kanë si një nga kushtet e Shqipërisë për integrimin”, tha Patozi. Sipas tij, të pretendosh që të mbash këtë sistem që kemi me amendime të lehta, do të thotë që në një farë mënyre të hedhësh poshtë të gjithë reformën zgjedhore. “Nga ana tjetër, ka disa lëvizje politike që shkojnë në kundërshtim me atë që deklarohet dhe me atë që thuhet”, tha Patozi. Në lidhje me koalicionin e ri të sapo formuar, nën siglën ‘E majta për Integrim’, Patozi u shpreh se “po të lexohet drejt ky koalicion, me fjalë të tjera do të thotë një parapërgatitje e disa partive për një sistem proporcional me prag të lartë”.