E Martë, 3 Nëntor 2026

Senati e ktheu pas tejkalimit të afatit, Shtëpia e Bardhë rikonfirmon Kostelancik për ambasador në Shqipëri

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Ky riporpozim vjen pas mosmiratimit nga Senati për shkak të tejkalimit të afateve zyrtare.

Ndaj, emri i David Kostelancik i është dërguar sërish Senatit amerikan për miratim.

Ai u emërua ambasador i SHBA në Tiranë nga Presidenti i SHBA, Joe Biden në 24 janar të 2023, por emërimi i tij u rikthye sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi senati gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë.

Në bazë të një klauzole të rregullave të senatit thuhet se “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen Presidentit.

Kur emri i tij të miratohet senati do të zëvendësojë Yuri Kim, ndërsa aktualisht selia diplomatike e SHBA në Shqipëri drejtohet nga i ngarkuari me punë David Vvisner, pas mbarimit të mandatit të Kim në korrik të këtij viti.

Emërimi i Kostelancik, ishte mes 43 kandidatëve për poste diplomatike që mbetën peng i bllokimit nga disa senatorë republikanë që e kanë kushtëzuar konfirmimin me lëshime ndaj disa politikave që ata mbështesin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›