E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senati i UT-së, favorizohet privati në pranime

04/10/2011  Modeli i ri i financimit të universiteteve nxit konkurrencën e pandershme ndërmjet publikut e privatit

Hyrje e limituar edhe për pranimet part-time në publik. Kërkohen kostot e studimeve

Modeli i ri i hartuar mbi financimin e arsimit të lartë në vend mbart pikëpyetje të shumta, të cilat mund të çojnë në krijimin e situatave kaotike për universitetet publike. Pas diskutimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh Senati i Universitetit të Tiranës ka deklaruar edhe mangësitë që kjo skemë mbart, si dhe pasojat që mund të krijojë në sektorin publik, pasi krijon me tepër favore për privatin. Një ndër pikat më problematike të konstatuara në draft është ajo mbi kuotat e pranimeve. Për këtë Senati ka konfirmuar se drafti kufizon pranimet në strukturat publike mbi kuotat e miratuara, duke u dhënë dorë hyrjeve pa limit në strukturat private. Sipas rektorit Kule, ky fakt prish ekuilibrin që synon skema e financimit mbi vendosjen e barazisë dhe konkurrencës së drejtë ndërmjet privatit e publikut, si pasojë e kostos së studimeve, e cila në privat do të jetë edhe më e lartë. Kjo diferencë, sipas Kules, ndihet edhe më e theksuar në sistemin e pranimeve part-time, ku dhe në këtë rast pranimet mbi kuotat e përcaktuara favorizohen me hyrje pa limit në privat. Më tej në mendimin e Senatit sqarohet se është tepër shpejt të mendosh për zbatimin e një modeli të ri financiar (është parashikuar nisja e vitit 2012), kur në vendin tonë ende nuk është kryer asnjë analizë mbi gjendjen aktuale financiare që raportojnë universitetet, rezultatet e së cilës do të kushtëzonin nevojë për ndryshime në reformën financiare. Më tej konfirmohet se shumë prej strukturave private shfaqin mangësi të theksuara sa i takon procesit të njohjes dhe akreditimit të programeve që ofrojnë, e si të tilla nuk mund të pranohen në këtë proces. “Përmendet që metoda e re e financimit të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2012, mbi cilat kritere do të fillojë aplikimi i kësaj skeme për universitetet private, ndërkohë që në material pranohet që procesi i akreditimit nuk ka qenë rigoroz dhe strikt dhe se universitetet private kanë funksionuar mbi baza ligjore jo të qarta dhe të kuptueshme”, - argumentohet nga Senati i UT-së. Gjithashtu pikëpyetje të shumta janë ngritur edhe mbi përcaktimet se si do të jepet kuponi për financimin e studentëve që do të frekuentojnë publikun dhe atyre që do t’i drejtohen privatit sa i takon kostos së studimeve. “Në material flitet për operimin e universiteteve private si një organizatë jofitimprurëse. Edhe në këtë çështje lindin një sërë pikëpyetjesh të tipit: sa e kontrollueshme është nga ana e shtetit që këto universitete kanë këtë status, pra të organizatës jofitimprurëse? Si do të ishte ky kontroll kur praktika aktuale e pranuar nga vetë ky material ka treguar se deri tani shteti nuk ka arritur të bëjë kontrollin dhe monitorimin e universiteteve private? Duke iu referuar këtyre treguesve, Senati ka kërkuar edhe zbardhjen e mekanizmave se si do të mbrohen universitetet publike nga konkurrenca e universiteteve private që do të përdorin fondet publike si dhe do të kenë kuota pranimi më të larta, çka rrit të ardhurat e tyre.

Qeveria 6 milionë lekë për restaurimin e shtëpisë së Pashko Vasës

Qeveria shqiptare akordon 6 milionë lekë për restaurimin e plotë të shtëpisë muze të rilindësit Pashko Vasa. Kreu i drejtorisë së monumenteve të kulturës në qytetin e Shkodrës Ervin Gjini lidhur me këtë fond ka pohuar se fillimisht janë dhënë 1,5 milion lekë dhe pritet marrja e fondit të mbetur. Më tej Gjini konfirmon se restaurimi i plotë i kësaj banese paraqet rëndësi të madhe, pasi përveç faktit që aty ka jetuar poeti e patrioti Pashko Vasa, ndërtesa mbart edhe vlera tepër të vyera e të veçanta në stil e arkitekture. “Puna për restaurimin e kësaj banese dhe kthimin në identitet të saj do të fillojë së shpejti. Banesa është në kushte optimale, pasi familjarët e të madhit Pashko Vasa e kanë mirëmbajtur deri më sot me mundësitë e tyre. Aktualisht nevojitet një restaurim i plotë i kësaj banese tipike shkodrane, e cila nuk është lënë në harresë edhe nga shteti, pasi vitin e shkuar është mundësuar një restaurim i pjesshëm i godinës. Ndërhyrjet e vitit të kaluar janë bërë kryesisht te çatia dhe çardaku i banesës, ndërsa puna për restaurimin e plotë të kësaj banese synon dhe kthimin në identitet të saj”, - ka sqaruar Gjini. Ndërkohë ai ka shtuar: “Prej kohësh kjo shtëpi është vizituar nga shumë turistë të huaj e vendas për shkak të vlerës që mbart si ndërtesë dhe për vetë faktin se është banesa ku ka jetuar Pashko Vasa, personalitet i njohur jo vetëm në mbarë trevat shqiptare, por dhe më gjerë. Me restaurimin e saj dhe kalimin e këtij fondi muzeal pranë Monumenteve të Kulturës pritet një interesim akoma më i madh i vizitorëve.” Sipas tij, nga takimet me drejtuesit e bashkisë është premtuar që me një marrëveshje mes familjarëve dhe këtij institucioni, nën përkujdesjen e familjarëve dhe nën përgjegjësinë e plotë të tyre, fondi i kësaj shtëpie do të rikthehet në vend. Shtëpia e Pashko Vasës, që ndodhet në lagjen “Ndoc Mazi”, është një ndërtesë karakteristike shkodrane, e ngjashme me shtëpitë e Oso Kukës dhe të Luigj Gurakuqit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›