Senati italian voton sot planin e kursimeve

Senati italian pritet të votojë sot planin e kursimeve të kërkuara nga Bashkimi Europian, për të shmangur kolapsin e ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës.
Masat shtrënguese do t`i hapin rrugë edhe dorëheqjes së paralajmëruar të kryeministrit Silvio Berlusconi i cili humbi shumicën në parlament gjatë javës ndërsa premtoi se do të largohej nga detyra e tij sapo të miratoheshin disa reforma dhe ligje të domosdoshme në kuadrin e krizës financiare.
Sipas mediave italiane bisedimet për masat shtrënguese kanë nisur që në mëngjes, ndërsa pritet që plani të kalohet në votim në senat gjatë pasdites.
Mediat italiane kanë theksuar se ka gjasa që të formohet një qeveri teknike, ndërsa si kryeministër mund të zgjidhet ish-Komisioneri Europian për Konkurrencën, Mario Monti.
Situata për Italinë bëhet edhe më e ndërlikuar, përballë parashikimeve për një rritje ekonomike të ulët në rastin më të mirë ose rënie në recesion sipas pesimistëve.