Votat e kontestuara, KQZ pamundësi për të miratuar vendimin
Mungesa e një konsensusi për procesin e rivlerësimit të votave të kontestuara mes anëtarëve të KQZ, pritet të sjellë sot pamundësinë e reflektimit të këtyre votave në tabelën e rezultateve për çdo qendër dhe më pas dhe në tabelën përmbledhëse të gjithë njësisë vendore Bashkia Tiranë. Kjo për shkak se ndryshimi i tabelave të rezultateve nga KQZ kërkon 5 vota, pra dhe konsensusin e opozitës, çka ka pak gjasa të ndodhë, megjithëse në shumë raste ata votuan pro rivlerësimit të votave të ndryshme. Megjithëse i gjithë ky proces prodhoi më shumë vota për Ramën, anëtarët e majtë të KQZ-së kanë pak mundësi për ta votuar pro, aktin e ndryshimit të tabelës së rezultateve, pasi janë shprehur parimisht kundër një hapi të tillë. Kodi Zgjedhor detyron KQZ-në, që për vendimmarrje të tilla mund t’i miratojë aktet e veta vetëm me 5 vota. Kështu neni 24 dhe që flet për vendimmarrjen e KQZ-së, përcakton se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse, për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve, për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore”. Për këtë arsye, i gjithë procesi i deritanishëm i KQZ-së për rivlerësimin e votave, rezulton të ketë qenë krejt formal, pasi ky institucion nuk ka mundësi vendimmarrje. Megjithatë, ai do të ketë vlerë vetëm në rast se pas kësaj faze, njëra prej forcave politike do ta ankimojë atë në Kolegjin Zgjedhor dhe që me shumë gjasa, tashmë një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm PS, pasi PD-së nuk i intereson më për shkak të rezultatit negativ për kandidatin e djathtë.