Olldashi mesazh Bashës: Kam qenë me PD-në edhe gjatë 8 viteve të opozitës
Sokol Olldashi hyn zyrtarisht në garë: Do ndërtoj themele morale
Sokol Olldashi u ka dhënë fund dilemave dhe ka konfirmuar dje zyrtarisht se hyn në garë për kreun e ri të Partisë Demokratike. Në fjalimin e tij të shkurtër të shpalljes së kandidaturës, Sokol Olldashi i ka dhënë edhe disa mesazhe Lulzim Bashës. Ky i fundit shikohet si rivali më i fortë i Olldashit në këtë garë. Në mënyrë indirekte Olldashi ka kujtuar se ai ka qenë me PD-në jo vetëm gjatë këtyre tetë viteve në pushtet, por edhe kjo parti ishte në opozitë. Dihet që Basha ka ardhur në PD vetëm pas 2005-ës.
Kandidatura
Sokoll Olldashi është një nga anëtarët më të vjetër të PD-së, si dhe një nga përfaqësuesit i cili ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së demokratëve. Teksa zyrtarizoi kandidimin e tij, Olldashi tha se ky vendim i tij erdhi pas mbështetjes që mori nga shumë anëtarë të PD-së. Pas shumë e shumë takimesh me përfaqësues të institucioneve bazike te Partisë Demokratike dhe pas një takimi që kam zhvilluar dje me Kryetarin Sali Berisha, i jam drejtuar sot Kryesisë së Partisë me kërkesën për regjistrimin e kandidaturës për garën e shpallur për funksionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, parti ku unë militoj prej 23 vjetësh. Hyj në garë me dëshirën për të përfaqësuar militantët e partisë, anëtarët e Partisë Demokratike por edhe ata që janë pjesë e opozitës që kjo parti ka zhvilluar në vitet 97-2005 dhe pjesë e arritjeve madhore të qeverisë së kësaj partie në vitet 2005 e deri më sot, tha Olldashi.
Synimi
Sokol Olldashi tha se synimi i tij është rindërtimi i themeleve të moralit të opozitës së sotme dhe maxhorancës së nesërme. Hyra në garë me vendosmërinë për të fituar përgjegjësinë e përfaqësimit të 100 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe me synimin për të rindërtuar themelet morale mbi të cilat bashkë me ta do të ngre opozitën sot për tu rikthyer shumicë nesër. Sepse besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe se shumica e shqiptarëve ende besojnë në moralin dhe me idenë për të çuar vendin përpara!, u shpreh Sokol Olldashi. Dita e enjte është edhe dita e fundit ku do të bëhen edhe zyrtarizimet e kandidatëve të cilët do të garojnë për të marrë drejtimin e PD-së, ndërkohë që zgjedhja e kreut të ri do të bëhet nga anëtarët e PD-së në të gjithë vendin.
Lulzim Basha zyrtarizon sot kandidimin
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha do të deklarojë sot kandidimin e tij për kreun Partisë Demokratike. Kandidimi i Bashës do të vijë një ditë pas zyrtarizmit të Olldashit ndërkohë që nuk dihet ende nëse do të ketë kandidatë të tjerë për këtë post. Emri i Bashës është një nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e PD-së pas dorëheqjes së kryetarit aktual, Sali Berisha. Deri më tani, Lulzim Basha nuk kishte shprehur asnjë qëndrim në lidhje me kandidimin ose jo të tij, madje ka refuzuar tu përgjigjet pyetjeve të bëra për këtë çështje. Gara mes Bashës dhe Olldashit do të jetë një betejë e fortë duke pasur parasysh mbështetjen që këta dy përfaqësues gëzojnë tek anëtarët e Partisë Demokratike. Të enjten është afati i fundit ku do të mbyllet procesi i regjistrimit të kandidatëve ndërkohë që pas kësaj, kandidatët do të nisin prezantimin e programit të tyre tek anëtarët e PD-së në të gjithë vendin. Megjithatë Basha ka një minus në këtë garë. Nëse kthehemi dy vjet pas do të gjejmë deklarata të Lulzim Bashës se ai do të ishte 24 orë në shërbim të qytetarëve dhe sdo të merrej me konfliktet politike apo sdo të kandidonte për poste të tjera partiake. Ai madje fushatën e tij për bashkinë e Tiranës e bazoi pikërisht në këtë model: Rama merrej më më shumë me partinë se sa me Bashkinë. Me sa duket humbja e së djathtës ka detyruar kreun e Bashkisë së Tiranës që të lërë mënjanë premtimet dhe të kërkoj të bëhet lideri i opozitës në katër vitet e ardhshme.
Të enjten zyrtarizohen kandidatët
Dita e enjte është afati i mbylljes së zyrtarizmit të kandidatëve të cilët do të garojnë për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike pas largimit të kreut aktual, Sali Berisha. Deri më tani janë të regjistruar vetëm dy kandidatë, Aleksandër Biberaj dhe Sokol Olldashi. Kreu i cili do të drejtojë PD-së do të zgjidhet sipas parimit një anëtarë, një votë dhe në këtë proces do të votojnë të gjithë anëtarët e PD-së në të gjithë vendin. Që prej nisjes së këtij procesi në PD ka nisur regjistrimi dhe verifikimi i anëtarëve të saj të cilët do të votojnë për zgjedhjen e kreut të ri.
Edhe Arben Imami pranë tërheqjes nga gara
Një emër tjetër i përfolur së tepërmi se do të kandidonte për të marrë drejtimin e PD-së duket se është tërhequr nga kjo garë. Bëhet fjalë për ish-themeluesin dhe ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Edhe pse vetë Imami nuk është prononcuar zyrtarisht për këtë çështje zëra brenda PD-së pohojnë se ai nuk do të kandidojë për këtë post. Emri i Imamit i shtohet kështu listës së atyre të cilët kanë bërë të ditur mos kandidimin e tij për kreun e PD-së. E para e cila deklaroi moskandidimin ishte nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli e cila u pasua më pas edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode dhe nënkryetari tjetër, Astrit Patozi. I vetmi i cli nuk ka shfaqur asnjë qëndrim në lidhje me kandidimin ose jo është ish-kreu i PD-së, i rikthyer në këtë parti para zgjedhjeve të 23 qershorit, Eduart Selami.