Sequi: "Integrimi pa dialog, si biçikleta pa rrota"

Bashkimi Europian është i prerë në mesazhin që po i jep në vazhdimësi forcave politike në Shqipëri. Kësaj radhe, është ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi i cili e ka konsideruar këtë proces, si të pamundur nëse nuk ka dialog politik.
I pyetur për një dialog të mundshëm politik, në kushtet kur kryeministri ka bërë ofertën për opozitën në Parlament për të bërë amendimet për ligjet që janë sprovë për proceset integruese, Sequi e krahasoi mungesën e dialogut, me një biçikletë që ecën pa rrota.
Këto deklarata, ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, i dha pas një ore leksioni me studentet e doktoraturës të qendrës së Studimeve Europiane. Në këtë takim, Sequi ka folur gjatë për misionin e Bashkimit Europian, ndërsa i cilësoi doktorantët, si të parët njerëz që do të kenë kontaktet e para, institucionet simotra të BE, gjatë rrugës dhe në finalizim të procesit integrues të Shqipërisë.
"Më duhet të përsëris mesazhin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, të cilët e kanë konsideruar të domosdoshëm dialogun politik në rrugën integruese të Shqipërisë. Nëse më duhet të përkthej këtë mesazh, do të thotë që integrimi Europian i Shqipërisë pa dialog, është si një biçikletë, që është në rrugë për të ecur, por ska rrota për të lëvizur" tha me tej Sequi.