E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Palët të fillojnë dialogun politik për reformat

18/08/2011  Ambasadori i BE-së në Tiranë sërish apel politikës shqiptare për dialog

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, në një deklaratë të tijën gjatë ditës së djeshme u kërkoi partive politike të respektojnë rekomandimet e kërkuara për reformën zgjedhore. Nga Shkodra, ambasadori Sequi i konsideroi si detyra emergjente për mazhorancën dhe opozitën, përfshirjen në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të vjetra dhe të reja të OSBE/ODIHR-it, si dhe realizimin e reformave të tjera të domosdoshme për integrimin evropian. Pasi, siç tha ai, “Integrimi Evropian është çështje e interesit kombëtar”. Dhe për këtë “Kërkohet një angazhim i plotë e i fortë nga forcat politike shqiptare, duke zbatuar prioritetet e Komisionit Evropian, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara. Për të arritur këtë pikë, e kam thënë disa herë, është e domosdoshme që të fillojë dialogu politik në Shqipëri”, – u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, ambasadori Sequi theksoi se partitë politike shqiptare duhet të respektojnë raportin e OSBE/ODHIR-it në lidhje me zgjedhjet lokale. “U kërkoj partive politike që të respektojnë rekomandimet e kërkuara për reformën zgjedhore. Raporti e ka një mesazh, vetëm se duhet që partitë ta pranojnë atë. Ndërsa konkluzionet e plota të Bashkimit Evropian do të jepen në tetor”, përfundoi Sequi. Shqipëria duhet të presë tetorin për të pasur një kuadër më qartë dhe të plotë të opinionit që Komisioni Evropian ka për këtë vit, edhe pas publikimit të raportit për zgjedhjet dhe predispozitës së shprehur gjatë verës për një situatë të re politike në shtator. Deklaratat e tij, ambasadori Sequi i bëri gjatë një ekspozite në qytetin e Shkodrës me temë “Evropa në zemrën time”. Tre ditë më parë OSBE/ODIHR-i publikoi raportin e tij për zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku apelon në mënyrë të veçantë forcat politike për bashkëpunim për reformën zgjedhore. Misioni i vëzhguesve theksoi në raportin final se disa dispozita të Kodit Zgjedhor janë larg standardeve më të mira ndërkombëtare. Sipas raportit, Kodi Zgjedhor është i paqartë në disa pika dhe ka boshllëqe dhe dykuptimësi sa i përket zgjedhjeve vendore. Misioni i vëzhguesve theksoi në raportin final se disa dispozita të Kodit Zgjedhor janë larg standardeve më të mira ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›