E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Për të marrë vendime, KQZ duhet të ketë më tepër se 4 anëtarë

rama sequiAmbasadorët e akredituar në vendin tonë i janë rikthyer sërish çështjes së krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Mesditën e djeshme ka qenë ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequit i cili i është drejtuar selisë rozë ku ka zhvilluar një takim me kreun e saj, Edi Rama. Takimi mes Ramës dhe Sequit zgjati përreth 60 minuta ndërkohë që pas këtij takimi ambasadori Ettore Sequi në një prononcim për mediat bëri të ditur temën e bisedës me Ramën.
Deklarata
Pata një takim me Ramën, ashtu siç po bëj takime të tjera me autoritetet e tjera të larta si ambasador i BE-së. Arsyeja është për të shkëmbyer pikëpamjet tona lidhur me procesin zgjedhor, u shpreh ambasadori i BE-së, Ettore Sequi. Në vijim, ambasadori konfirmoi gjithashtu se gjatë takimit u fol edhe për situatën e krijuar në KQZ. Sipas ambasadorit Sequi BE është në të njëjtën linjë me SHBA-të për këtë çështje ndërsa konfirmoi se për këtë çështje do të ketë një takim edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Diskutuam gjithashtu për çështjen e KQZ-së, mes çështjeve të tjera. Kam ndjekur dhe deklaratën e ambasadorit Arvizu dhe të shefes së OSBE/ODIHR-it dhe pozicioni ynë është i njohur. KQZ për të marrë vendime duhet të ketë më shumë se 4 anëtarë. Meqë përmendet Arvizu ne takohemi herë pas here do takohemi dhe sot(dje), dhe BE e SHBA ndajnë së bashku opinionet dhe vizionin e tyre, përfundoi ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi. Kur kanë mbetur edhe 9 ditë nga mbajtja e procesit zgjedhor, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vijon të jetë i përgjysmuar. Prej më se tre muajsh tashmë opozita ka tërhequr anëtarët e saj nga ky komision, ndërsa komisioni ka vijuar punën me katër anëtarë. Ambasadorët e akredituar në vendin tonë por edhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan si dhe shefja e delegacionin të OSBE-ODHIR kanë bërë apel për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në një situatë të tillë duket se KQZ nuk e ka kompetencën për të bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, një vendim ky që me shumë gjasë do ti takojë Kolegjit Zgjedhor.

Meta takim me Sequi-n: KQZ u dhunua në mënyrë të paligjshme
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, zhvilloi një takim pasditen e sotme me kreun e LSI-së, Ilir Metën, ku temë e bisedimeve ishte procesi zgjedhor dhe situata në KQZ. Menjëherë pas takimit, Meta deklaroi se KQZ-ja u dhunua në mënyrë të paligjshme. Ai i shprehu mirënjohjen e tij ndërkombëtarëve për ndihmën që po japin në procesin zgjedhor. Duke u ndalur tek zgjedhjet, Meta tha se është tërësisht i bindur në fitoren e koalicionit të majtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›