Beteja televizive, Rama tek Fevziu, Berisha e sfidon me mbledhjen e qeverisë
E ndërsa Edi Rama po paraqiste programin tij në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, kryeministri Berisha nga ana tjetër po zhvillonte mbledhjen e qeverisë. Kjo duket një sfidë televizive mes dy liderëve kryesorë, pasi kryeministri Berisha për efekt të fushatës ka dashur që vëmendja në darkë të mos jetë e gjitha tek Edi Rama. Dhe për të përforcuar këtë ide, kryeministri Berisha kurrë nuk ka zhvilluar një mbledhje qeverie në një orë kaq të vonë të pasdites.
Mbledhjet e qeverisë
Mbledhjet e zakonshme të qeverisë janë zhvilluar çdo të mërkurë në orën 11:00, por me fillimin e fushatës elektorale Berisha njoftoi se ministrat do të mblidheshin në orët e pasdites së të mërkurës. Por dje shefi i qeverisë veproi komplet ndryshe, duke zgjedhur ditë dhe ora tjetër.
Berisha të premten tek Zona e Lirë
Të premten kryeministri Sali Berisha do të jetë i pranishëm edhe në emisionin Zonë e lirë të gazetarit Arjan Çani në TV Klan. Kurse të dielën ai do të jetë sërish në një emision me natyrë argëtuese si Apartamenti 2XL në Vizion Plus. Ndërkohë që vihet re që prej kohësh, kryeministri Berisha nuk ka marrë pjesë tek emisioni Opinion i Blendi Fevziut. Ky i fundit pati mbrëmë kryetarin e opozitës, Edi Rama, ndërsa dy ditë më parë kishte të ftuar në emisionin e tij edhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.