E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi dhe Wollfarth: Mirëpresim debatin, koha për dialog

TIRANË Për Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, dhe shefin e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, dialogu në Shqipëri është mëse i domosdoshëm. Duke iu referuar ftesës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, për një debat publik mes tij dhe Berishës për çështjet që shqetësojnë vendin, ambasadori i OSBE-së ka deklaruar se dialogu është i rëndësishëm, duke theksuar se po aq i tillë është edhe brenda Kuvendit. Duke e konsideruar idenë e Ramës si shumë të mirë, ambasadori i OSBE-së tha se mbështet dhe mirëpret çdo ofertë që sjell dialog dhe mirëkuptim mes palëve. "Dialogu është shumë i rëndësishëm, sidomos kur bëhet brenda Parlamentit. Duhen diskutuar hapat e ardhshëm për reformat e Kodin Elektoral. Dialogu është i mirë në çdo formë, por nuk duhet vendosur si kusht. Është shumë e rëndësishme të bëhet ky debat e dialog. Por duhet të përfshijë dhe atë në Parlament mes partive. Është një hap që duhet hedhur, sigurisht. Pjesë e këtij debati duhet të jetë dhe rregullorja",- tha Wollfarth. Pak orë më vonë erdhi edhe reagimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Sequi. Në një intervistë televizive, Sequi ka deklaruar se mirëpret idenë për një debat publik. Ai ka theksuar se është koha që palët të ulen në dialog.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›