Ftesa, Arvizu: Berisha dhe Rama të takohen privatisht
Arvizu për ftesën e Edi Ramës: “Unë qartazi mendoj se ky debat apo diskutim nuk është ide e keqe. Kam dashur dhe shpresuar që të kishte më shumë mundësi për debat që gjatë zgjedhjeve vendore që kaluan. Megjithatë, shikoj diçka të mirë, një vlerë në këtë propozim. Por, përveç një debati publik, mendoj se do të ishte më mirë që të dy liderët të kishin një takim privat mes tyre dhe jam i sigurt që ata janë të aftë ta bëjnë këtë, nëse do të donin vërtet ta bënin”
TIRANË Ndryshe nga kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare për ftesën online drejtuar atij nga kryetari i opozitës, Edi Rama, përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në Tiranë e kanë parë si një ogur të mirë për fillimin e dialogut në vend. I pyetur nga përfaqësues të medias, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar se ideja për një debat publik është pozitive. Megjithatë, për t’i paraprirë këtij debati, Arvizu theksoi se paraprakisht do të ishte mirë një takim privat mes tyre, pse jo edhe në rezidencën e tij. “Kam dëgjuar pak për këtë propozim, por nuk kam pasur mundësi ta studioj me hollësi. Unë qartazi mendoj se ky debat apo diskutim nuk është ide e keqe. Kam dashur dhe shpresuar që të kishte më shumë mundësi për debat që gjatë zgjedhjeve vendore që kaluan. Megjithatë, shikoj diçka të mirë, një vlerë në këtë propozim. Por, përveç një debati publik, mendoj se do të ishte më mirë që të dy liderët të kishin një takim privat mes tyre dhe jam i sigurt që ata janë të aftë ta bëjnë këtë, nëse do të donin vërtet ta bënin", - u shpreh diplomati amerikan. Për këtë arsye, ambasadori amerikan në Tiranë u tregua i gatshëm që këtë takim ta mirëpresë në shtëpinë e tij. “Nëse do të ndihmonte, unë jam i gatshëm të hap derën e shtëpisë sime për të realizuar këtë takim mes dy liderve, jam i sigurt që edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, do të kishte dashur të ishte në këtë takim. Gjithsesi, vendimi i mbetet drejtuesve. Çfarëdo gjëje që ne mund të bëjmë për të lehtësuar tensionin politik, ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që nevojitet për të realizuar këtë takim. Edhe nga këto festime duket qartë që ne jemi në anën e popullit shqiptar”,- tha ambasadori Arvizu, teksa ishte i pranishëm në festimet për 20-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Dy ditë më parë, përmes komentit të tij të përjavshëm, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjykonte ndër radhë se kishte ardhur koha që ai vetë dhe kundërshtari i tij politik, shefi i mazhorancës, të dilnin në një debat të hapur për të ballafaquar të gjitha çështjet që ndajnë sot të djathtët dhe të majtët. “Është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Le të vijë e të m’i thotë në sy ato që flet gojështhurur lart e poshtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave, dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë pikë për pikë, nga 1-shi te 10-ta”, - shprehet Rama në shkrimin e vet.
Rama i përgjigjet Arvizut: Saliun
e takoj vetëm para shqiptarëve
TIRANË Ideja për një debat publik të kërkuar nga Edi Rama, dy ditë më parë, po dështon pa filluar ende. Pas sugjerimit të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, për një takim privat mes Ramës dhe Berishës, qoftë edhe në rezidencën e tij, në prani edhe të shefit të delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, kryetari i opozitës, Edi Rama, ka dhënë edhe reagimin e parë. Në të njëjtën formë siç po reagon rishtazi kohët e fundit, kryetari i opozitës, përmes faqes se tij personale në Tëitter, i përgjigjet ambasadorit Arvizu se nuk do të ketë një takim të tillë. Të paktën këtë lë të kuptojë qartazi kryetari i PS-së, teksa në faqen e tij shihet një përgjigje e thatë.
“Saliun e pres në debat para shqiptarëve”,- shkruan Rama në faqen e tij në Tëitter. Dy ditë më parë, përmes shkrimit të tij të përjavshëm, kryetari i PS-së, Edi Rama, e ftonte kryeministrin Sali Berisha për të gjitha çështjet që shqetësojnë sot vendin, por edhe për qëndrimet e njëpasnjëshme të kreut të ekzekutivit ndaj opozitës lidhur me liberalizimin e vizave. Ftesa e kryetarit të PS-së vjen në një kohë kur vetëm disa ditë më parë ai informoi median, përmes një konference për shtyp, mbi paktin prej 10 pikash, nga të cilat vetëm dy prej tyre janë pranuar për diskutim nga mazhoranca. “Oferta jonë prej 10 pikash për një ‘Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa’ është hapi ynë i parë. Kemi shtrirë dorën drejt palës tjetër për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë dhe për të dalë nga rrethi vicioz ku na mban kyçur të gjithëve politika e vjetër e njëzet vjetëve kacafytje. Nga pala tjetër kemi marrë vetëm shpotitje, fyerje, shpifje dhe konfirmimin e rrethit vicioz, si e vetmja alternativë që kanë. S’ka problem. Ata le të shpotisin propozimet tona, ne do vazhdojmë të bëjmë propozime”, - shprehet Rama në editorialin e tij.