Sequi takon Ramën: Statusi i vendit kandidat mund të merret në dhjetor
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama. Takimi mes Ramës dhe Sequit u zhvillua në ambientet e selisë së Partisë Socialiste ndërkohë që pas përfundimit të takimit, vetë ambasadori Sequi bëri të ditur temën e bisedës të zhvilluar mes tij dhe Ramës
Ambasadori Sequi
Ambasadori i BE-së, tha se diskutoi me kreun e PS-së, Edi Rama rreth axhendës evropiane të Shqipërisë ndërkohë që i siguroi atij mbështetjen e BE-së në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Diskutuam për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka vendi përpara. Diskutuam edhe për faktin se axhenda evropiane është në qendër të axhendës qeveritare. I theksova zotit Rama mbështetjen e BE-së për të vënë në zbatim këtë axhendë, u shpreh ambasadori Sequi. Ambasadori Sequi përsëriti deklaratat e ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, për një tranzicion të butë ndërsa vlerësoi deklaratat e bëra nga Rama se qeverisja e tij do të bazohet tek gjithëpërfshirja dhe jo tek përjashtimi. Shpresojmë që procesi zgjedhor do përfundojë në mënyrën dhe kohën e duhur. Duhet një tranzicion i butë i pushtetit politik, deklaroi ambasadori Ettore Sequi.
Integrimi
Duke u ndalur tek integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi tha se BE i ka dyert e hapura për të gjitha vendet e Ballkanit ndërsa thekoi se Kroacia është shembulli më i mirë për këtë. BE u kthye dje në një bllok me 28 shtete. Përvoja e Kroacisë do të ishte e mirë për Shqipërinë. Kjo dëshmon se perspektiva evropiane e vendeve të rajonit është e hapur dhe premtuese, tha ambasadori Sequi. Duke u ndalur tek statusi i vendit kandidat për Shqipërnë, Sequi tha se është e mundur marrja e tij në muajin dhjetor. Besoj se Shqipëria ka gjithë potencialin dhe energjitë për të ecur në këtë proces. Shpresoj që statusi kandidat të jetë arritja e parë në këtë drejtim. Ai është i mundur të merret në dhjetor, përfundoi ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi.
Berisha-McCormack: Zgjedhjet treguan
pjekuri të demokracisë në Shqipëri
Zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri shënuan një përmirësim të procesit zgjedhor. Kështu u shpreh shefja e misionit të ODIHR, McCormak gjatë takimit që pati me kryeministrin Sali Berisha. McCormak theksoi ndër të tjerash se është i rëndësishëm fakti që ky proces tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri. Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi procesin zgjedhor si dhe theksoi pjesëmarrjen e lartë në votim. Në vijim, shefi i qeverisë u shpreh se numri i vogël i ankesave, i cili i dedikohet një procesi numërimi jashtëzakonisht transparent dhe të rregullt, është tregues për cilësinë e lartë të këtyre zgjedhjeve. Kryeministri Berisha e falënderoi McCormack për punën që misioni i ODIHR bëri, duke theksuar se vëzhgimi i zgjedhjeve është një element themelor në garantimin e transparencës dhe të besueshmërisë së procesit zgjedhor. Takimi Berishës me shefen e misionit të ODIHR, Conny McCormack u bë në kuadër të mbylljes së Misionit të ODIHR në vendin tonë.
Bumçi takon McCormack: Zgjedhjet shënuan
një hap drejt integrimit
Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi priti në një takim shefen e misionit të ODIHR Costance Berryman McCormack. Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime rreth procesit zgjedhor dhe rezultateve të misionit të vëzhgimit. Gjatë fjalës së saj, McCornack falenderoi ministrin Bumçi për bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me vëzhguesit ndërkombëtarë ndërsa shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor. Sa i përket procesit të numërimit të votave, kryesuesja e ODIHR-it u shpreh se procesi ishte transparent dhe profesional. Nga ana e tij, ministri Bumçi falenderoi McCormack për angazhimin e saj personal dhe për punën e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se këto zgjedhje shënuan një hap përpara drejt konsolidimit demokratik dhe proceseve integruese të vendit.