E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patericat e të mundurve

Të mundurit, por dhe ata që ndodhen në një gjendje thuajse të tillë, gati duke u rrëzuar, ndër mjetet që përdorin për t’u ngritur disi, kanë edhe patericat, për t’i shpëtuar kështu sadopak së keqes që i ka zënë. Ngjarjet e fundit në fushën tonë politike, që sollën atë përmbysje jo fort të parashikueshme për nga përmasat e saja të mëdha, kanë nxjerrë në shesh pikërisht disa paterica që të mundurit po përpiqen t’i vënë nën sqetull, me idenë se do të mund të ecin mirë për ca kohë, kur dihet se ato nuk janë shpëtimi i vërtetë. E njëjtë siç ka ndodhur me disa nga ndeshjet e kësaj mesjave për klubet tona të futbollit, pjesëmarrëse në Ligën e Europës, ku rezultate si ai Teutës dhe i Kukësit ngjajnë si ca paterica që mund të ta lehtësojnë për një çast rrugën, por vështirë se mund të të çojnë deri atje ku ti kërkon të arrish. Sepse, kaq vlerë kanë patericat dhe për më tepër, këtë vlerë të papërfillshme ka ky futbolli ynë mjeran e ndërkohë spekulativ, që ndërsa reklamohet si i 37-ti në renditjen mujore të FIFA-s, në të njëjtën kohë, një klub i yni profesionist si Laçi s’e ka për gjë të mundet prej një ekipi amatorësh të Luksemburgut, që aktualisht zë një nga vendet e fundit në renditjen botërore!
Paradoksi shqiptar, “i mrekullive” nga njëra anë dhe gropës së hapur të gjithë atyre problemeve jetike ende të pazgjidhura nga ana tjetër, nuk ka se si të mos përfshijë edhe sportin, por ndryshe nga ç’mendohet e pretendohet me këtë fushë, edhe pse argëtuese dhe dëfryese për njerëzit, pritshmëritë janë ende shumë të pakta, për t’mos thënë fare të vakëta për të shpresuar diçka më të mirë. Nuk kam pse të futem në hollësira detajesh apo zhbirimesh që janë të pafundme rreth problemeve që e shqetësojnë sportin, por mjafton vetëm futbolli i këtij vendi për të parë si në një pasqyrë se kush jemi e sa vlejmë në të vërtetë. Prej vitesh jemi duke parë të njëjtën gjë përsa i përket nivelit të ndeshjeve, ku shfaqja e skuadrave në fushën e lojës është e pakënaqshme deri në një mërzi të papërballueshme. Ndokujt prej bosëve drejtues që kanë interesa ta shfrytëzojnë deri në palcë këtë futboll, natyrisht do t’i pëlqente që çdo gjë për ta të shkonte si në vaj, pa ia përmendur kush paudhësitë dhe marifetet e pista që e kanë mbuluar këtë fushë, por ja që realiteti i shpërfaqur kështu me stadiume të boshatisura dhe lojëra pa interes për publikun pasionant, nuk të lë që t’i dorëzohesh territ informativ nëpërmjet të cilit dikush nga kupola e lartë kërkon të mbulojë të vërtetat e shëmtuara lakuriq. Të mësuar të spekulojnë me patericat e ndonjë rezultati si ato të kësaj mesjave të arritur për kupat europiane, ata që në fakt i kanë vënë kazmat këtij futbolli, duan me këtë rast që t’i hedhin më shumë hi syve njerëzve të ndershëm, me idenë e gabuar se punët janë vënë në vijë. Por, realiteti, gjendja që shohim e prekim për çdo ditë, është ku thërret qameti, e vajtueshme dhe tepër alarmante për të mos e parë ashtu siç dikush përpiqet t’na e paraqesë. E patë se si në fushën tonë erdhi e na mundi një ekip luksemburgas, i përbërë nga ca djem diletantë, që sportin e ushtrojnë për qejf dhe s’e kanë aspak profesion, duke mos na lënë asnjë shteg justifikimi për nivelin e dobët e krejtësisht jashtë standarteve të këtyre pseudoklubeve tanë futbollistikë?! Në këtë rast, i munduri ishte ekipi i Laçit, që në fund të fundit i pat bërë ca përgatitje për ndeshjen në fjalë, po nga të tjerët, ata që nuk marrin pjesë në kupat e Europës, që ende nuk e dinë se çfarë trajneri do të kenë dhe që janë në hall të madh se ku do t’i gjejnë lojtarët e formacionit për sezonin e ri që është në prag, çfarë dreqin mund të presësh se mund të bëjnë? Është një gjendje absurde dhe gati pa rrugëdalje, që na kthen në amullinë e viteve të mëparshme, e që me sa duket do t’na detyrojë të dëgjojmë edhe këtë herë të njëjtën melodi të shëmtuar të sezoneve të shkuar. Shihni se ku ndodhet Tirana, së cilës tashmë i ka mbetur vetëm epiteti si 24 herë kampione e vendit, ndërkohë që, sikur të lëngonte prej një sëmundje të rëndë ngjitëse, nga dita në ditë po i largohen edhe ata titullarë që i kishin mbetur! Por, thuajse në këtë derexhe janë katandisur edhe klubet e tjerë, dikur me traditë e fitues trofesh, si p.sh. Vllaznia, e cila gjithashtu nuk di se ku e ka kokën!? Nuk po futem në xhunglën e skuadrave të tjera, por këto shembuj janë mjaft për të ilustruar gjendjen pa shpresë të këtij futbolli, që edhe këtë sezon do të përpiqet të na mashtrojë, ashtu siç ka bërë për çdo vit. Nëse diçka e mirë po shihet tek Partizani, për drejtuesit privatë të këtij ekipi kjo do të ishte një dhuratë tjetër që ata janë duke u bërë tifozëve të tyre, por ndërkohë edhe një sfidë ndaj pushtetarëve tanë të çdo ngjyre, që në vend të ruajtjes së trashëgimisë, kanë pëlqyer shkatërrimin...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›