Serbët aplikojnë në KQZ me listën qytetare "Srbija"

Serbia vazhdon të provokojë institucionet e Kosovës, duke dorëzuar për regjistrim dhe certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e subjektit politik Iniciativa qytetare “Srbija”, si listë unike që do t'i përfaqësojë serbët e Kosovës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Listën në KQZ e ka dorëzuar për certifikim Vladeta Kostic, i cili mban postin e të ashtuquajturit kryesues i Rrethit për Kosovën, duke thënë se emërtimi i listës mund të sjellë probleme në KQZ-së. Sipas tij, kjo nuk do të duhej të kuptohej si cenim dhe ofendim për askënd, raporton Tanjug.
Ai ka thënë se njeh edhe shqiptarë që kanë emrin “Alban” dhe nuk ndihet i fyer me këtë fakt, kështu që ka pretenduar se KQZ nuk do ta shohë si problem certifikimin e kësaj liste me emrin “Srbija”.
Kjo listë ka mbështetjen direkte nga Beogradi zyrtar si dhe është përpiluar në bazë të preferencave të qeverisë serbe. Përmes saj, Beogradi synon të ketë nën kontroll komunat serbe në veri dhe Asociacionin/Bashkësinë e Komunave Serbe, organ ky që sipas Marrëveshjes së 19 prillit do të formohet pas zgjedhjeve lokale, transmeton orainfo.
Megjithatë, kjo listë do të jetë garuesja e vetme për mandatet e kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë të Mitrovicës veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit, kurse në komunat tjera poshtë Ibrit, do të ketë edhe subjekte tjera politike që do të garojnë, përfshirë edhe ato që sot janë pjesë e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Kjo listë garon për kryetar të Mitrovicës veriore me Krstimir Panticin. Për kryetar të Zubin Potokut me Stevan Vulovicin.
Ndërkaq për Leposaviqin do të garojë me Dragan Jablanovicin, kurse për kryetarin e Zveçanit me Ivan Teodosijeviqin.
Duke dashur që të mos lejojë më subjekte politike serbe që pranojnë shtetin e Kosovës, Beogradi ka përgatitur kandidatura edhe për komunat tjera. Sipas listës së dorëzuar, për kryetar të Graçanicës, Beogradi përmes kësaj liste mbështet Branimir Stojanovicin i cili ka qenë shef i byrosë së qeverisë së Serbisë për Kosovë. Për Shtërpcën ka kandiduar Ivan Rexhicin. Për kryetar të Kllokotit Srecko Spasicin, të Parteshit Dragan Nikolic, për Novobërdën, Svetislav Ivanovicin dhe për Ranillugun, Gradimir Mikicin. /Indeksonline/