Serbët dhe sllavo-maqedonasit shpërthejnë në histeri anti-europiane dhe anti-amerikane
Në Beograd, digjen flamujt e SHBA-së, BE-së dhe Kosovës, kurse në Shkup, sulmohet me molotov ambasada amerikane. Me pankarta “Serbia të kthehet nga Nëna Rusi” në Beograd e me fraza “djegie amerikanëve” në Shkup, incidentet përkatëse nxjerrin në pah natyrën albanofobe e antiperëndimore të Serbisë dhe sllavo-maqedonasve
Lirimi ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka shkaktuar një shpërthim vullkanik të histerisë anti-europiane të Serbisë. Të inkurajuar nga deklaratat anti-europiane të qeverisë me gjene milosheviçiane, Daçiç-Nikoliç, qindra nacionalistë serbë kanë grisur dhe djegur flamuj amerikanë, atë të Bashkimit Evropian dhe të Kosovës, si reagim ndaj lirimit si të pafajshëm nga Tribunali i Hagës i njërit nga ish-komandantët e UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Pjesëtarët e Partisë Radikale të Serbisë, në një protestë të mbajtur të dje në Beograd, gjithashtu kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe të presidentit të Serbisë, për shkak të mbështetjes së tyre për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Zyrtari i partisë, Nemanja Saroviç, tha se Serbia duhet të kthehet kah drejtimi i duhur: Rusia, Amerika Latine dhe “miqtë tjerë tradicionalë”. Serbinë e ka pushtuar histeria nga vendimi i Hagës për të liruar ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Gjykata së fundi ka liruar edhe dy gjeneralë kroatë, që ishin dënuar për krime kundër serbëve. Pafajësia e Ramush Haradinajnt përbën një fitore për të vërtetën e pastërtisë së luftës UÇK-së. Lirimi i z.Haradinaj dhe i gjeneralëve kroatë, të akuzuar gjithashtu për krime lufte nga propaganda serbe, e nxjerr Beogradin para asaj pasqyre e cila shëmbëllen imazhin dhe realitetin se Serbia është unike në kryerjen e krimeve të luftës, dhe askush, shqiptarë apo kroatë, nuk e ka kopjuar në këtë profesion. Ndërkohë, në të njëjtën ditë, një serbo-maqedonas Aleksander N, ka tentuar t’i vërë zjarrin ambasadës amerikane në Shkup, duke e sulmuar atë me koktej molotovi, në kompleksin e ambasadës. Nga ambasada konfirmojnë incidentin. ‘Është e vërtetë se mbrëmë vonë ndodhi një incident, në fakt një person para kompleksit të ambasadës amerikane sulmoi me koktej molotov. Askush nga ambasada nuk është i lënduar gjatë këtij incidenti, gjithashtu nuk ka as dëme materiale. Autoritetet vendore janë duke punuar në zbardhjen e rastit’, thonë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Ministria e Brendshme e konfirmon këtë incident. Në një komunikatë për median, Ministria e brendshme njofton se ‘një person që ka qenë në lëvizje në drejtim të ambasadës amerikane, është afruar rreth 20 metra nga hyrja kryesore e ambasadës dhe menjëherë ka ndezur një koktej molotov dhe e ka hedhur në drejtim të hyrjes kryesore. Kokteji i molotovit ka rënë në asfalt në largësi 14 metra nga ambasada amerikane.’ Pasi ka hedhur koktejin e molotovit, personi është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai ka marrë veturën e tij ‘Yugo’ dhe ishte larguar në drejtim të lagjes ‘Hekurana’. Gjatë largimit, ai ka goditur një makinë të tipit ‘Toyota’ që po lëvizte në drejtimin e kundërt. Në njoftimin e MPB-së thuhet se drejtuesi i ‘Toyotës’ kishte shkuar tek personi që kishte shkaktuar aksidentin, ndërsa ai me të dalë nga vetura është lavdëruar me fjalët ‘i kam djegur amerikanët”. Me pankarta “Serbia të kthehet nga Nëna Rusi” në Beograd e me fraza “djegie amerikanëve” në Shkup, incidentet përkatëse nxjerrin në pah natyrën talibane të Serbisë dhe serbo-maqedonasve, e i rreshton ata krah Rusisë dhe Iranit, si kundërshtarë të parimeve të civilizimit demokratik Perëndimor
...