E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët e Gjakovës kërkojnë të vërtetën për krimet

Një grup i serbëve që dikur kanë banuar në komunën e Gjakovës, sot në kishën e Shën Markut në Beograd kanë përkujtuar gjakovarët e vrarë dhe të zhdukur.

Si i tha agjencisë Beta, i ashtuquajturi koordinator i Komunës së Gjakovës, Gjokica Stanojeviq, pas përkujtimit një grup prej qindra qytetarëve të tubuar ka kërkuar nga kreu shtetëror serb që të gjenden fajtorët për krime, si dhe të krijohen kushtet për kthim.

Ai i ka thënë agjencisë Beta se sot janë përkujtuar 62 serbë të vrarë dhe të zhdukur të Gjakovës dhe për 528 të vdekur nga pasojat e luftës në Kosovë. Natyrisht, ai të cilin gjakovarët e mbajnë përgjegjës për masakrat e mëdha dhe djegiet në Gjakovë, “ka harruar” të përmendë çfarëdo viktime nga pala shqiptare, të cilët u vranë nga policia dhe paramilitarët serbë.

Sipas Stanojeviqit, ai ka kërkuar edhe mundësimin e kthimit të, siç ka deklaruar ai, 372 familjeve të kësaj komune, me ndihmën e UNHCR-it.

“Nga kreu shtetëror është kërkuar që të bëjnë gjithçka është e mundur në mënyrë që gjakovarëve t’iu kthehet pasuria e rrëmbyer dhe e uzurpuar, dhe t’iu mundësohet lëvizja e lirë”, ka thënë ai.

Stanojeviqi ka shtuar se “gjakovarët e zhvendosur kanë kërkuar edhe të respektohet vullneti i popullit – që vet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, e jo që ata t’iu imponohen dhe të jenë njerëz nga Istogu apo Klina”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›