BDI has në rezistencë për shpalljen e konkurseve për poste qeveritare

Partia shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim po e shqyrton mundësinë që të shpallen konkurse publike nga qeveria për të angazhuar kuadro të profesionalizuara në poste udhëheqëse qeveritare dhe nëpër drejtori.
Disa ditë më parë, VMRO-DPMNE, me propozim të kryetarit të saj dhe kryeministrit Gruevski, shpalli konkursin publik për pranimin e kuadrove profesionale në mbi 80 poste drejtuese në nivel të qeverisë, nëpër drejtori, borde dhe këshilla drejtues, si dhe konkurse për këshilltarë shtetëror dhe ambasadorë.
Nga partia shqiptare theksojnë për agjencinë e lajmeve INA se Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë po shqyrtojnë mundësinë për një hap të tillë, por ata janë të ballafaquar me rezistencën e aktivistëve dhe përfaqësuesve partiakë nëpër degët partiake, si dhe nga funksionarët që tashmë mbajnë poste të larta.
Në konkurset për pozicionet e larta shtetërore, që tashmë janë publikuar, kërkohen kandidatë me kapacitete të larta profesionale, aftësi menaxhimi dhe aftësi lidershipi, si dhe kushte të tjera, siç thuhet, për të realizuar politikat qeveritare.
Në konkurs përfshihen kryesisht institucionet që udhëhiqen nga ana e kuadrove të VMRO-DPMNE dhe jo ato të BDI-së. Por, mundësia e konkurrimit të kandidatëve shqiptarë është në konkursin e hapur për ambasadorë dhe konsuj gjeneral. BDI-ja, si pjesë e koalicionit udhëheq me rreth 100 poste udhëheqëse dhe pjesëmarrëse në nivel të sekretarëve shtetërorë, drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, anëtarëve të bordeve drejtuese, drejtorëve rajonalë dhe nivele tjera të përfaqësimit të nivelit të lartë nëpër komuna./Indeksonline/