E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët e Mitrovicës dalin sërish në protestë

Serbët kanë rinisur protestën në Mitrovicë kundër ndërtimit të shtëpive nga shqiptarëve në lagjen "Kroi i Vitakut".
Situata raportohet e qetë, ndërsa një numër i madh forcash policore të EULEX-it po patrullojnë zonën. Një ditë më parë, më shumë se 100 serbë protestuan dhe nisën të godisnin me gurë shqiptarët që po ndërtonin shtëpitë e tyre në lagjen "Kroi i Vitakut". Si pasojë e përleshjeve u plagosën 7 vetë, pesë shqiptarë dhe 2 serbë.
Sot serbët u mblodhën në vendin ku shqiptarët po pastrojnë një zonë për të ngritur më pas shtëpitë e shkatërruara nga lufta. Edhe serbët janë lejuar, sipas një marrëveshjeje që të ndërtojnë 5 shtëpi në këtë zonë, por ato nuk kanë nisur ende ndërtimin pasi nuk janë dakord me marrëveshjen.
Mediat informojnë se një prani e madhe e forcave të EULEX-it ndodhen në zonën Berdani, ndërkohë vazhdojnë bisedimet për të shmangur përsëritjen e konflikteve etnike.
Edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga lufta, serbët dhe shqiptarët ende nuk mund të jetojnë në paqe mes tyre, veçanërisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›