E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët e kanë përjetuar rëndë vendimin e GJND-së

Vendimin pro pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, serbët e veriut të Mitrovicës e kanë përjetuar rëndë, madje disa prej tyre pas përfundimit të transmetimit të drejtpërdrejtë nga Haga, janë detyruar të përdorin ‘bensedinë’ për t’u qetësuar.

Të indinjuar me vendimin pro pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja, disa serbë pasditen e djeshme edhe kanë protestuar kundër këtij vendimi, kurse pakënaqësinë vazhdojnë të shfaqin edhe një ditë më vonë.

“Rëndë e kam përjetuar, ndoshta për faktin se gjatë gjithë kohës kam qenë shumë optimist se opinioni këshillëdhënës i GJND-së do të jetë në favor të Serbisë”, ka thënë shkurt për Kosovapress, Dragica Miletoviq.

Ndërkaq Millorad Jovanoviq shprehet i mllefosur tej mase në drejtësinë ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo që ka ndodhur dje, është “çorbë” e amerikanëve të cilët kanë përkrahur pa rezervë shqiptarët e Kosovës.

“Megjithatë, pavarësisht krejt kësaj, Kosova nuk do të ndahet kurrë, por do të mbetet Serbi sa të është jeta”, tha Jovanoviq, duke shtuar se Serbia tash e tutje duhet të ndryshojë politikën e saj të jashtme.

Një vajzë tjetër me emrin “Beba”, e cila thotë se studion ekonominë në Beograd, ka akuzuar klasën politike të Serbisë për një dështim të tillë.

“Meqë drejtësia ndërkombëtare nuk është në anën tonë, kush do t’ju ndihmoj serbëve që jetojnë këtu në zgjidhjen e problemeve të tyre”, ka pyetur ajo, duke shtuar se dje pas përfundimit të transmetimit të drejtpërdrejtë nga Haga, ajo është dashur të përdorë dy ‘bensedinë’, për t’u qetësuar.

Ndryshe situata në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës është e qetë dhe pa probleme dhe këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët policor.

Shefi i Operativës në rajonin e Mitrovicës, Nysret Mehmeti bëri të ditur se për Kosovapress se gjendja e sigurisë gjatë 24 orëve të fundit ka qenë e qetë dhe pa asnjë incident, me përjashtim të një rasti të dhunës në familje që ka ndodhë mbrëmë në Zubin Potok. /kosovapress/Serbët e kanë përjetuar rëndë vendimin e GJND-së

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›