E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tribunali cakton gjyqtarët për Rastin Haradinaj

Kryetari i Tribunalit të Hagës, Patrick Robinson, ka caktuar të enjten kolegjin gjyqësor tre anëtarësh, i cili do të udhëheqë procesin e përsëritur pjesërisht kundër ish Komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe dy të tjerëve.

Anëtarët e Trupit Gjykues janë: Bakone Justice Moloto, kryetar dhe Barton Hall Aguedelo. Tash mbetet që Gjykata të caktojë datën kur do të nisë procesi gjyqësor, por ka pak mundësi që kjo të bëhet shpejt. Kjo për faktin se pushimi veror i punës së gjykatës fillon më 26 korrik dhe zgjat deri më 13 gusht.

Megjithëkëtë, zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jelacic, ka thënë të enjten për media se duke pasur parasysh rrethanat e rastit, ka mundësi që kjo të ndodhë shumë shpejt.

Derisa Tribunali ka caktuar anëtarët e Trupit Gjykues në rastin e Ramush Haradinajt dhe të tjerëve, në Prishtinë, Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhjen e jashtëzakonshme.

Zyrtarë të lartë të AAK’së kanë njoftuar Këshillin Drejtues të AAK‘së lidhur me ecuritë dhe ngjarjen e fundit rreth vendimit të rigjykimit të pjesshëm të Ramush Haradinajt, duke u shprehur se ndjehen të shokuar.

Pas mbledhjes, anëtari i Kryesisë së AAK’së, Besnik Tahiri, duke lexuar deklaratën e Këshillit Drejtues, deklaroi se siç edhe Haradinaj ka thënë, çështja më me rëndësi për Kosovën në këtë rast është vendimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ata shprehën besimin se Haradinaj do të shpallet i pafajshëm dhe do të lirohet, për t’ju kthyer detyrave të tij politike.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të AAK-së konfirmuan angazhimin e tyre intensiv, si në punët politike nëpër degë, po ashtu edhe në angazhimet qeverisëse në komunat që i udhëheq kjo parti.

Sipas Besnik Tahirit, Ramush Haradinaj më shumë se kurrë i duhet Kosovës, në veçanti duke pasur parasysh zhvillimet e fundit pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare.

“Kthimi i tij sa më i shpejtë është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për AAK’në, por edhe për gjithë popullin e Kosovës, duke i pasur parasysh proceset në të cilat po kalon Kosova”, tha Tahiri para medieve.

I pyetur nëse AAK’ja do të krijojë një fond të veçantë për mbrojtjen e Haradinajt, Tahiri tha se momentalisht ekipi mbrojtës i kryetarit të partisë së tij është duke u marrë me proceset që ndërlidhen me këtë rigjykim të pjesshëm dhe se për hapat e mëtutjeshëm lidhur me logjistikën, vendimet dhe procesin rreth këtij gjykimi do të njoftojnë me kohë.

Edhe Kuvendi i Kosovës ka shprehur shqetësimin për ndaljen e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në rigjykim në Hagë.

Por legjislativi I vendit ka shprehur besimin e plotë në drejtësinë e Tribunalit të Hagës dhe në pafajësinë e Haradinajt. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar, ka qenë e imponuar, ka qenë luftë e lavdishme për paqe dhe prosperitet për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Prandaj ky rast është i dhimbshëm, është shqetësues dhe nuk duhet politizohet për ta akuzuar këtë apo atë. Ne edhe në të kaluarën jemi përmbajtur në gjykime të tilla. Edhe kësaj radhe drejtësia do të triumfojë dhe ne kemi besim në drejtësinë ndërkombëtare dhe presim të dalë e vërteta në shesh dhe Haradinaj t’i kthehet edhe familjes edhe politikës në Kosovë”, është shprehur Krasniqi. Ai kërkoi që kjo cështje të mos politizohet, duke aluduar në deklaratat e Melihate Tërmkollit e cila ëhstë shprehur se “me këtë vendim për haradinajn, nuk shtë gëzuar vetëm serbia, por edhe dikush tjetër në Kosovë”.

Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi ka kërkuar nga institucionet e vendit të bëjnë të gjitha veprimet zyrtare që Haradinaj të kthehet i pafajshëm në Kosovë, ta vazhdojë punën e tij, ndërkohë që ka shprehur bindjen e thellë për pafajësinë e tij.

Edhe deputeti i PDK-së, Rexhep Hoti ka kërkuar nga institucionet që të ofrojnë gjithë ndihmën dhe garancionet e nevojshme në mënyrë që Haradinaj dhe të tjerët të mbrohen në kushte dhe rrethana normale.

Eqrem Kryeziu, i cili megjithatë konsideron se një vendim i tillë nuk do të ketë ndikime anësore, sikur që mund të konsiderohet se mund të ketë ndikim në vendimin e GJND’së.

“Ky është një vendim befasues, por nga ana tjetër institucionet e tilla serioze nuk e lidhin fatin e individit me fatin e një vendi, kështu që nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim”, ka thënë Kryeziu.

Kurse, nënkryetari i LDD-së, Naser Rugova, konsideron se shteti duhet të përkujdeset për të ndihmuar Haradinajn të përballet sërish me Gjykatën e Hagës.

“Konform pozicioneve që ka pasur Haradinaj, si lider i AAK-së, por edhe si një lider i fuqishëm opozitar, vërtetë, shteti i Kosovës duhet të përkujdeset për të ardhmen e tij dhe për ndihmat e gjithanshme që ka nevojë Haradinaj dhe për procedurat që ka Tribunali i Hagës”, ka thënë Rugova.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës thotë se do t’i kryejë të gjitha obligimet që i kërkohen për mbrojtjen në Hagë të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Qeveria e Kosovës do t’i kryej të gjitha obligimet e saj që kërkohen edhe në kuadër të kornizave ligjore, por edhe në kuadër të ekipit mbrojtës. Një veprim të tillë e kemi bërë edhe herën e parë dhe nëse kërkohet do ta bëjmë prapë”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›