E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e veriut: Marrëveshja për lëvizjen e lirë na dëmton

MITROVICË- Serbët e veriut të Kosovës e konsiderojnë të papranueshëm dekretin e qeverisë së Serbisë rreth lëvizjes së lirë në pikat kufitare. Kështu është thënë në takimin e kryetarëve ilegalë të komunave në veri të vendit.

Po ashtu, është njoftuar se të ashtuquajturit kuvende komunale do të vendosin rreth një referendumi, përmes së cilit qytetarët serbë do të deklarohen nëse i pranojnë institucionet e Kosovës në veri.

“Dekreti u ka sjellë dëme të mëdha serbëve që jetojnë në Kosovë dhe ne nuk pajtohemi me të”, ka thënë kryetari paralel i Mitrovicës, Krstimir Pantic, transmeton B92.

Ai ka shtuar se barrikadat do të qëndrojnë edhe më tutje, porse serbët nuk do të përfshihen në ndonjë konflikt me pjesëtarët e KFOR-it apo EULEX-it. Sipas tij, nëse barrikadat largohen me dhunë, serbët do të vendosin të tjera “për të treguar se nuk pajtohen me lëvizjet e njëanshme të Prishtinës dhe me aksionet e dhunshme të KFOR-it”.

Nga ana tjetër, i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ka kërkuar largimin sa më të shpejtë të barrikadave.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›