E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti? Berisha: Vendos mazhoranca, Rama pishmanli, Topi me parti sharlatanësh

TIRANË- Kryeministri Berisha deklaroi se kreu i shtetit vitin e ardhshëm do të zgjidhet nga mazhoranca me apo pa konsensusin e opozitës. Në një intervistë në televizionin Ora News, Berisha e konsideroi të vonuar deklaratën e presidentit Topi për mosrikandidim.

"Ajo vjen pas dy javësh ku u bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më president. Kjo deklaratë do ishte më mirë të vinte tre javë më parë, por si i thonë, më mirë vonë se kurrë. Z. Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh, do të thosha, të papajtueshme me programin e PD-së. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht po dekonstitucionalizon institucionin e presidencës, duke e shndërruar në selinë e një partiçke të vogël”,- theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha është drejtuar me tone të ashpra sa i takon marëdhënieve me kreun e shtetit, duke e akuzuar se bashkë me nënkryatrin e KLD-së e kanë kthyer institucionin e presidencës në një ‘partickë sharlatanësh'.
“Nuk mund të pranohet në krye të presidencës një partiçkë. Në një republikë parlamentare presidenti drejton presidencën si një simbol. Çdo qëndrim armiqësor ndaj mazhorancës të nxjerr jashtë Kushtetutës. Mazhoranca merr votat për të qeverisur dhe përpjekjet për pyka janë antiligjore. ajo parti e provoi veten në regjistrim. Partia faqezi ajo është partia që nuk mori as 1 përqind. Janë të mirëpritura edhe 60 parti të tjera por brenda rregullave. Kur individë të caktuar uzurpojnë institucionet kushtetuese pse nuk japin dorëheqjen. Institucioni i Presidentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë dua të them. Njeriu i qytetëruar dhe që ka nocionin më elementar të shtetit dhe ligjit nuk mund ti lejojë vetës që nga kreu i KLD-së të kthehet në partiçkë të vogël të sharlatanëve që morën përgjigjen më shembullore me censusin e këtij vendi”,- nënvizoi Berisha.

Ndërsa u ndal tek çështja e Presidentit të ri, Berisha u shpreh se do të jetë një zgjedhje Kushtetuese. I pyetur për një President konsensual, Berisha tha se nëse kreu i PS-së do të votojë kandidatin e propozuar nga mazhoranca do të vlerësohet, por siguroi se edhe në rast të kundërt  kreu i ri i shtetit do të jetë i zgjedhur nga mazhoranca me votat e saj. Berisha u shpreh se ndryshimet kushtetuese të bëra me pëlqimin e kryesocialistit Edi Rama, garantojnë zgjidhjen e kreut të shtetit pa kaluar vendin në ngërç dhe në zgjedhje.

“Ky vend nuk mund të bëhet nëse nuk konsolidon Kushtetutën e tij. Me z. Rama ne ramë dakord që presidenti të zgjidhje 50 +1 vota, çka i dha mundësinë Kushtetutës të funksionojë, sepse përndryshe vendi do të shkonte në zgjidhje. Tani kërkohet të rikthehemi të ai varianti grek që e çoi Greqinë në zgjedhje”, theksoi Berisha.

Shefi i ekzekutivit komentoi kërkesën e disa partive të vogla për ndryshimin e Kodit Zgjedhor sa i takon listave të hapura për kandidatët për deputetë. “Ato janë lista që i japin hapësirë parave. Listat duhet të hartohen me frymë demokratike dhe përzgjedhëse por jo të hapura. Ai që është më i mundshëm do i jepet mundësia që të fortit dhe parelitë të kenë atë hapësirë që nuk duhet ta kenë as me forcë e as me para”, nënvizoi kryeministri Berisha.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›