Serbët e veriut protestojnë: Duam zgjedhje, nuk duam dogana

Disa qindra serbë të Kosovës kanë protestuar të enjten në veri të Mitrovicës, duke kërkuar nga autoritetet e Beogradit nënshkrimin e zgjedhjeve të të gjitha niveleve “në të gjitha mjediset serbe në territorin e Kosovës”.
Protestat nën sloganin “Duam zgjedhje, nuk duam dogana” janë organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb i veriut të Kosovës dhe kanë kaluar pa ndonjë incident.
Kreu i këtij organi, Millan Ivanoviç u ka bërë thirrje autoriteteve në Beograd dhe bashkësisë ndërkombëtare se “serbët e Kosovës duan të mbesin dhe të jetojnë në shtetin e tyre - Serbinë”.
“Kjo është pjesë e luftës sonë, ashtu siç ka qenë edhe referendumi, edhe barrikadat, me të cilat kemi mbrojtur instalimin e institucioneve shqiptare dhe jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës në këtë pjesë”, ka thënë Ivanoviç.
Sipas tij, serbët e Kosovës duan t`i dërgojnë mesazh të qartë Beogradit se duhet të respektojë Kushtetutën e Serbisë dhe të nënshkruajë zgjedhjet në Kosovë, në mënyrë që serbët të fitojnë përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe të forcojnë institucionet serbe.
Në protesta raportohet të jenë parë parulla si: “Serbi, Rusi nuk na duhet Unioni”, “Borko në burg” dhe të ngjashme, ndërsa disa nga protestuesit kanë mbajtur edhe fotografinë e të akuzuarit të Hagës, Vojisllav Sheshel.
Ende nuk dihet nëse Serbia do t`i nënshkruajë zgjedhjet e saj lokale edhe në Kosovë.