E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Samiti i PPE i rëndësishëm dhe optimist

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në Bruksel, në Samitin e Partisë Popullore Evropiane (PPE). Në këtë samit ishin të pranishëm kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Evropë, anëtare të Partisë Popullore Evropiane, të cilët diskutuan për zhvillimin e një qasjeje të përbashkët të EPP-së mbi çështje evropiane, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Evropian. Në një prononcim për mediat pas mbarimit të samitit Berisha u shpreh:

“Ishte një samit që iu përkushtua kryesisht problemit të rritjes ekonomike. Mund të them se ishte një samit i karakterizuar nga një frymë optimizmi e qartë dhe i gjithë përqendrimi do të jetë se si të rikthehet rritja ekonomike në hapësirën e Bashkimit Evropian dhe në Evropë në tërësi. Masat e parashikuara u vlerësuan si masa shumë të rëndësishme.
Ndërkohë, në samit u diskutua ndër të tjera edhe statusi për Serbinë dhe probleme të tjera. Në fjalën time unë shpreha vlerësimin tim të madh për marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë, si marrëveshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për të dy vendet, por për të gjithë rajonin. Sikundër, theksova se vendimi për statusin e Serbisë është një vendim i drejtë dhe i rëndësishëm. Por, është e domosdoshme të mbështetet iniciativa e Komisionit Evropian për studimin e fizibilitetit dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës, një vend me një rëndësi shumë të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në fjalën time theksova se marrëveshja u jep përgjigje problemeve madhore që ekzistonin, por ajo që mbetet për t`u çmontuar dhe për t`i mbetur të shkuarës, janë strukturat paralele, paramilitare, të cilat kurrë nuk mund të garantojnë as liritë e të drejtat, as zhvillim të atyre rajoneve dhe që mbahen për qëllime të caktuara. Theksova gjithashtu se respektimi i marrëveshjes nga të gjitha palët është një gjë e domosdoshme, në mënyrë që paqja, stabiliteti, të konsolidohen.
Ngrita në mënyrë të posaçme problemin e një vendimi qendror për sa i përket kreditimit nga Bankat bija në vendet tona, në Shqipëri e në vende të tjera dhe kërkova që ky vendim të rishqyrtohet, sikundër, të shihet mundësia që Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe institucione të tjera të tregojnë një përkujdesje për sistemin bankar të vendeve jo anëtare, i cili në tërësi është sistem i përbërë nga bija të vendeve anëtare të zonës së euros.
Mendoj se ky ishte një samit shumë i rëndësishëm. Në samit u diskutua gjerësisht për problemet ekonomike. Unë e njoha samitin me zhvillimet në Shqipëri dhe natyrisht, mbrojta para kolegëve dhe miqve të mi pikëpamjen time se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar kryekëput në meritë, sepse vetëm i tillë ai u shërben mbarë qytetarëve shqiptarë.
Në samit, një vend të veçantë zuri gjendja jashtëzakonisht e rëndë e të drejtave të njeriut në Bjellorusi, problemet madhore të shëndetit dhe të qëndrimeve ndaj lideres, udhëheqëses së opozitës së Ukrainës, Julia Timoshenko dhe probleme të tjera”u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›