E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët në Kosovë, presin ndryshime nga Beogradi

 

Në veri të Mitrovicës, serbët janë të lodhur. Ata janë me sytë nga Beogradi për zbutje të politikave ndaj Kosovës, ndërkohë që konfigurimi i fundit politik në Serbi, lë pak gjasa

Për kafenë, paguan në dinarë serbë. Makinat që lëvizin ose kanë targa serbe, ose nuk kanë fare targa, vetëm një patrullë e rastit e NATO-s të kujton problemet e veçanta të rajonit. Për serbët në Kosovën veriore, këto probleme janë rritur vazhdimisht në muajt e fundit.Udhëheqësit shqiptarë që kontrollojnë pjesën tjetër të Kosovës kanë shpallur Pavarësinë. Shteti i ri është njohur nga 40 vende dhe tani qeveria serbe është duke dhënë shenja për ndryshime të mëdha në politikën e saj. “Jemi pak të shqetësuar lidhur me qeverinë e re”, thotë Nebojsha Joviç, Presidenti i Këshillit Nacional Serb të Mitrovicës Veriore, një grup që përfaqëson serbët e Kosovës. "Koalicioni përfshin edhe ata që mendojnë se Kosova është e humbur",- thotë ai duke pirë ujë në një kafene pranë një ure mbi lumin Ibër, që ndan serbët e Mitrovicës nga komunitetet shqiptare. "Prioriteti kryesor i qeverive të mëparshme ishte Kosova, tani është anëtarësimi në BE dhe Kosova zë vend të dytë. Ne do të na pëlqente nëse ata do të kishin bërë më shumë për të na bindur se besonin që Kosova të ruhej brenda Serbisë". Buzë lumit, pranë urës qëndron një obelisk i ri, ku janë gdhendur emrat e serbëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Duket më shumë si një vijë shënuese territori, sesa një memorial. Megjithë shqetësimet e zotit Joviç, pjesa më e madhe e partive në koalicionin e ri qeveritar serb këmbëngulin se Kosova i përket Serbisë. Ministrat thonë se përpjekjet për anëtarësim në BE brenda katër vjetësh, nuk do të vijnë kurriz të integritetit territorial të vendit. Por përtej vijës së kuqe, ata janë duke sinjalizuar një qasje të re në qendër të së cilës janë dialogu dhe veprime të moderuara dhe fleksibile. Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç ka thënë se është koha për "veprime më konstruktive e të zhdërvjellta dhe kooperim me të gjithë faktorët e komunitetit ndërkombëtar". "Qeveria e re do ta lërë mënjanë Kosovën, të paktën për momentin",- parashikon gazetari serb Dejan Anastasejeviç. "Megjithatë Brukseli këmbëngul në një lloj dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës dhe disa marrëveshje, të cilat jo domosdoshmërisht duhet të jenë formale, për bashkëjetesën e përbashkët". "Mendoj se do të ketë bisedime diskrete mes Beogradit dhe Prishtinës". Ai parashikon tensione mes Beogradit dhe autoriteteve serbe në veri të Kosovës. Kur partitë nacionaliste humbën zgjedhjet e 11 majit në mbarë vendin, Partia Radikale e vijës së ashpër dhe Partia Demokratike e ish-kryeministrit Vojisllav Koushtunica fituan mjaft mbështetje në Mitrovicë dhe ato dominojnë Parlamentin e ri lokal. "Udhëheqësit e zgjedhur lokalë në Kosovën veriore shumë shpejt do të zbulojnë se nuk mund të presin më mbështetjen pa kushte që gëzonin në kohën e zotit Koshtunica",- thotë zoti Anastasijeviç. Analisti politik Dushan Janjiç shkon më tej, duke parashikuar një përpjekje për pushtet, mes qeverisë, nga njëra anë, dhe Parlamentit Serb të Kosovës dhe këshillave lokalë të vijës së ashpër nga ana tjetër. Ai vë në dukje se qeveria e re serbe është dobësuar nga fakti që është një koalicion ku bën pjesë edhe Partia Socialiste që dikur drejtohej nga Slobodan Milosheviç. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që ndihma për serbët e Kosovës të shkojë tek ata që jetojnë atje me familjet e tyre", citohet të ketë thënë Ministri i ri për Kosovën, Goran Bogdanoviç. Një diplomat perëndimor në Prishtinë e përshkruan veriun e Kosovës, si një "hapësirë ku nuk sundon ligji", ku paratë e përvetësuara mund të financojnë lehtësisht politikanët e vijës së ashpër. "Autoritetet ndërkombëtare janë të kënaqura me faktin që Serbia financon veriun e Kosovës, për sa kohë ky financim është transparent, por kjo gjë po devijon",- thotë ai. Një luftë kundër korrupsionit do të kishte përfitime shtesë për të fituar besimin brenda BE-së. Shenjat se qeveria e re mund të zbusë qëndrimn kundër rolit të BE-së në Kosovë, shton një tjetër element që ka potencial për të qënë shpërthyes në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Mitrovicës. Si ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, edhe presidenti Boris Tadiç kanë biseduar ditët e fundit rreth dëshirës për të marrë pjesë në negociatat për rikonfigurimin e rolit të OKB-së në Kosovë. Rikonfigurimi i miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, do të shohë BE-në nën mbikëqyrjen e OKB-së. Zoti Jeremiç dhe zoti Tadiç thonë se duan që ndryshimi final i formës së rolit të OKB-së të vendoset në Këshillin e Sigurimit, pasi Serbia e ka thënë fjalën e saj, por në intervistat e tyre të fundit, ata nuk kanë përjashtuar rolin e BE-së. Deri tani Serbia e ka parë Misionin e BE-së si një instrument për pavarësinë e Kosovës, në fjalët e Dejan Anastasejeviçit. Kështu do të vazhdohet të shihet nga pjesa më e madhe e serbëve në Kosovën veriore, por është hera e parë që duket e mundshme që qëndrimet në Beograd të mund të ndryshojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›