E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët nuk lejojnë kalimin e EULEX-it, në Zubin-Potok

ZUBIN POTOK- Serbët në veri të Kosovës nuk kanë lejuar sot kalimin e komandantit të KFOR-it Erhard Dreës dhe anetarëve të EULEX-it. Sic raporton e përditshmja “Zeri”, Drews ka tentuar sot në mesditë të kalojë bashkë me autokolonën e tij përmes fshatit Zupç, për të shkuar në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, por është kthyer mbrapsht pasi serbët nuk kanë lejuar kalimin e anëtarëve të EULEX-it.

Sipas mediave kosovare me të ishte edhe zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes. Agjencia e serbe e lajmeve Tanjug raportoi se serbët u shprehën të gatshëm të lejojnë kalimin e KFOR-it por jo të EULEX-it. Drews ka biseduar për rreth 15 minuta me nënkryetarin e komunës paralele të Zubin-Potokut, Duroviç, në tentativë për të bindur serbët të lejojnë kalimin e stafit të EULEX-it, por ka qënë e kotë. Duroviç ka deklaruar se EULEX nuk mund të kalojë deri sa të distancohet nga institucionet e Kosovës dhe të veprojë neutral ndaj statusit.

Drews edhe një herë ka kërkuar liri qarkullimi për të gjithë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare dhe qytetarët në Kosovë. Lajmi se në drejtim të Zupçit është drejtuar edhe EULEX-i, ka bërë që serbët të mblidhen edhe te ura kryesore e Ibrit, në pjesën veriore të Mitrovicës.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›