E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët, si pushtues otomanë, kërkojnë të hyjnë me dhunë në Kosovë, plagosin 32 efektivë të policisë së Kosovës

29-06-2012 / Nga Redi Agolli

Pseuda-festa e Vidovdanit, një ditë betejë anti-osmane, 623 vjet luftë anti-shqiptare

Festa e Vidovdanit, tashmë një pseudo-festë, që nga epoka milosheviçiane, vazhdon të jetë një ritual ultra-nacionalist kundër shqiptarëve, një ritual i cili kryhet nga serbët çdo 28 qershor, me parulla dhe dhunë kundër shqiptarëve, krejtësisht në kontrast me shpirtin e vërtetë të kësaj beteje. Beteja e Vidovdanit mban në vetvete frymën e bashkëpunimit dhe harmonisë mes popujve ballkanik, e cila u materializua në një koalicion për të ndaluar ekspansionin turk në Ballkan. Gjatë kësaj beteje, shqiptarët nuk ishin figurantë, por protagonistë, dhe nga ata protagonistë të cilët mbajnë peshën më të madhe të skenarit dhe aksioneve. Me Milosheviçin, të gjithë këto elementë, fryma e bashkëpunimit dhe koordinimit të popujve ballkanik, të cilat sot marrin epitetin europianë, u zhdukën. Kasap i Ballkanit e i shkaktoi një metamorfozë kësaj feste, duke keqinterpretuar historinë dhe duke e kthyer në një kauzë historike mbi të cilën duhej justifikuar krijimi i Serbisë së Madhe dhe hegjemonia serbe ndaj popujve të tjerë. Ky koncept i ri historik i krijuar nga Milosheviçi mbi këtë betejë vazhdon të jetojë ende në Serbi, oksigjenit të cilës ia jep ajo klasë politike serbe, që ka nostalgji për epokën milosheviçiane. Për ironi të historisë, serbët e përkujtojnë Vidovdanit me akte urrejtje dhe dhune, pra me një sjellje si armiku ndaj të cilit luftuan gjatë kësaj beteje. Konkluzioni? Një ditë betejë anti-osmane, 623 vjet luftë anti-shqiptare. Por ja si u shpalos 28 qershorin e 2012, episodi i 623 i kësaj lufte. Në orët e para të mëngjesit, dy autobusë me 70 veta hynë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare në veri dhe më pas kishte kaluar në jug të Mitrovicës, ku fillimisht kishte shkaktuar një incident duke provokuar Policinë e Kosovës poshtë urës së lumit Ibër. Më pas, ata ishin nisur për në Vushtrri, me synimin që të merrnin pjesë në shënimin e Vidovdanit. Policia, në komunikatat për media, njofton se ata kanë bartur fanella me mbishkrime provokuese për rendin dhe qetësinë në vend. Po ashtu, ky grup që besohet t’u përkasë fansave “Dellije” të klubit futbollistik Crvena Zvezda nga Beogradi, ka provokuar qytetarët, andaj, në orët e hershme të mëngjesit ishte marrë vendimi që të kthehet në Serbi nën përcjelljen e policisë, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Bajrami. Bajram Rexhepi ka konfirmuar se janë 32 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kanë pësuar lëndime përderisa po shoqëronin nga Kosova për në Serbi një grup serbësh te pika kufitare në Merdar. Ai tha se bëhet fjalë për lëndime të shkaktuara me gurë, që ky grup serbësh kishte hedhur në drejtim të Policisë së Kosovës. “Pas deportimit në pjesën, si e kanë kaluar kufirin, ata të revoltuar e kanë bërë një inskenim dhe ua kanë marrë çelësat vozitësve të tyre dhe kanë dalë jashtë dhe kanë hedhur në drejtim të policisë kufitare të Kosovës gurë dhe mjete tjera të forta me ç’rast kanë lënduar disa prej tyre. Policët e kanë kryer detyrën e vet dhe natyrisht ata kanë qenë të vet-përmbajtur që të mos përdorin armë zjarri”, tha Rexhepi. Gjatë një informate të prezantuar para Kuvendit të Kosovës, Rexhepi tha se janë gjithsej 32 policë të lënduar. Por, sipas tij, të gjithë kanë pësuar lëndime të lehta dhe nuk bëhet fjalë për lëndime të rënda trupore. “Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ato kanë qenë në anën e Serbisë”, theksoi Rexhepi, duke përjashtuar mundësinë e plagosjes së policëve edhe me armë zjarri.  Lidhur me këto informacione, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha se në QKUK janë trajtuar vetëm 9 raste, që kryesisht kishin marrë lëndime nga gjësendet e forta.  Në anën tjetër, mediat serbe njoftojnë se është sulmuar një grup i serbëve që me autobus ishte nisur për në Gazimestan  Sipas njoftimeve, në shtëpinë e shëndetit në Kurshumli janë dërguar 13 të lënduar. Mediat serbe citojnë mjekun,  Zoran Vuçkoviq, të ketë thënë se dhjetë serbë kanë plagë nga armët e zjarrit, por nuk dihet "nëse janë shkaktuar nga plumbat e gomës apo plumba të vërtetë". “Në përgjithësi janë plagë të rënda, andaj janë dërguar në Kirurgjinë ne Prokuple”, ka thënë Vuçkoviç.Ndryshe, më datën 28 qershor, tashmë është bërë zakon që në Kosovë të vijnë grupe të serbëve nga Serbia për të shënuar betejën mesjetare të Kosovës që ata e quajnë Vidovdan. Sivjet ata shënojnë 623 vjetorin e kësaj beteje. Përveç 70 personave të kthyer për në Serbi, grupe tjera të serbëve kanë qëndruar të enjten në Mitrovicë, Graçanicë dhe Gazimestan. Në këto pjesë, policia ka njoftuar se situata ka qenë e qetë, ndërkaq në disa raste policia ka detyruar disa pjesëmarrës t’i heqin fanellat e tyre me mbishkrime nacionaliste apo me porosi urrejtjeje ndaj shqiptarëve.  Me një politikë të tillë, Sllobodan Millosheviçi pati nisur fushatën e tij për rrënimin e autonomisë së Kosovës 23 vjet më parë, politikë kjo që më pas solli luftë dhe gjakderdhje deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë që u përmbyll edhe me shkëputjen dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia të gjendjes së sigurisë të kremtohet vetëm nga serbët e Kosovës.
Siç u theksua më sipër, ashtuquajtura kremtja e Vidovdanit, vetëm 23 vjet më parë, kishte shërbyer si shkas për tubimin e një numri të madh të serbëve, si dhe promovimit dhe fuqizimit politik të Sllobodan Milosheviçit, i cili më pas u bë njeriu numër një në hierarkinë politike në Serbi. Por, si ndihen sot, politikanët serbë në Kosovë, të cilët edhe para 23 vjetësh ishin të përfshirë në politikë? Në një prononcim për “Radio Europa e Lirë”, ata  vlerësojnë se tubimi në Gazimestan, në vitin 1989, shënoi plasaritjen e parë dhe të fuqishme, e cila më pas çoi deri te zhbërja e Jugosllavisë, si dhe luftërat e përgjakshme në hapësirën e saj. Rada Trajkoviç, aktualisht deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, rikujton tubimin në Gazimestan 23 vjet më parë, dhe flet për situatën në të cilët sot gjenden serbët, në ditën kur e shënojnë kremtën e Vidovdanit. “Në atë tubim, shumica e njerëzve nuk kanë qenë të orientuar për ruajtjen e ish-Jugosllavisë, ndonëse një numër i vogël i tyre kanë qenë për këtë. Një numër tjetër i vogël ndoshta ka qenë edhe për një projekt të Serbisë së madhe". "Por, unë mendoj se pjesa më e madhe e serbëve që kishte ardhur aty, ata të mençurit dhe të urtit, kanë qenë për definimin e shtetit serb, sepse shumica e kanë dëshiruar këtë edhe para krijimit të Jugosllavisë së parë dhe të dytë”. “E gjitha përfundoi në atë mënyrë që shteti serb, Millosheviçi dhe njerëzit që kishte për rreth, nuk ditën që t’i  përshtatin interesat e popullit serb me realitetin që ishte në atë kohë. Ne ishim nisë për të realizuar projektin me miq të dobët dhe me kundërshtarë të fuqishëm ndaj idesë sonë dhe, natyrisht, kemi përfunduar kështu siç kemi përfunduar”, thotë Trajkoviç. Por, politikani serb Rangjell Nojkiç, tubimin 23 vjet më parë të serbëve në Gazimestan, e vlerëson si një ekspansion të gabuar të vetëdijes nacionale serbe, i shprehur në mënyrë po ashtu të gabuar. “Mendoj se atëherë është bërë gabimi historik, për të cilin ka pasur gjasë që të përmirësohet, por kjo nuk ndodhi dhe më pas ka pasur pasoja të mëdha të dhunshme. Atëherë është paralajmëruar shpërndarja e ish-Jugosllavisë. Ajo edhe ndodhi. Serbia hyri në konflikt me të gjitha ish-Republikat dhe përjetoi atë që përjetoi.  Por, ajo që më trimëron veçanërisht, është fakti se pas vitit 1999 nuk ka pasur vazhdim të retorikës së tillë. Mendoj se sot Vidovdani kremtohet krejtësisht në tjetër kontekst". "Pavarësisht se ekzistojnë probleme të caktuara dhe bashkësia serbe ende nuk e ka zgjidhur statusin e saj, me duket se nuk i bëhet thirrje mundësisë për konflikte, luftëra dhe gjakderdhje të reja, por për mundësinë që çështjet të zgjidhen përmes rrugës paqësore”, thekson Nojkiç. Në anën tjetër, tubimi i Vidovdanit, 23 vjet më parë në Gazimestan, si moment që shënoi fuqizimin e Sllobodan Milosheviçit dhe më pas shpartallimin e Jugosllavisë dhe luftërat e përgjakshme, u bë shkas që shqiptarët në Kosovë, ta shohin këtë ditë me antipati. Por, Rada Trajkoviç, thotë se shqiptarët nuk duhet ta përjetojnë me antipati Vidovdanin, për shkak se sipas saj, Beteja mesjetare e Kosovës ka qenë e përbashkët dhe serbët e shqiptarët kanë qenë aleatë në atë luftë. “Lëvizja çlirimtare ka qenë e përbashkët dhe nuk ka arsye pse në mënyrë identike dhe të përbashkët të mos e festojmë së bashku. Nuk ka arsye që të refuzojmë”, shprehet Trajkoviç. Në këtë konstatim të zonjës Trajkoviq, përgjigjen mund ta japin historianët, në kontekstin e ngjarjeve të vitit 1389. Sa për vitin 1989, Vidovdani ishte ngjarja prej nga Millosheviçi inicoi atë që do të njihet si fushatë e spastrimit etnik, duke e zhveshur fillimisht Kosovën nga statusi autonom që kishte atëbotë.   Nojkiç i kupton shqiptarët për qasjen që ata kanë ndaj kremtes së Vidovdanit. “Duke shikuar nga aspekti që Vidovdani ka qenë fillimi i shpartallimit të Jugosllavisë, dhe në fund të fundit, edhe ajo që ka ndodhur më vonë edhe në Kosovë, mund të thuhet se mund të kuptohet qasja e tillë e shqiptarëve”. “Por, megjithatë, mendoj se nuk ka askush të drejtë që ta shfrytëzojë këtë ditë dhe këtë festë për të nxitur konflikte të reja dhe që në çfarëdo mënyra të vijë deri te përkeqësimi i situatës. Mendoj se ka vetëdije të mjaftueshme te të gjithë, se e kaluara duhet të lihet me një anë dhe të shikohet kah e ardhmja”, thekson Nojkiç. Sidoqoftë, 10 vjet më vonë, pas tubimit në Gazimestan, në qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s, pas bombardimit 78 ditësh, hynë në Kosovë, duke larguar forcat serbe nga territori i vendit. Pikërisht më 28 qershor 2001, ditën e kremtes së Vidovdanit, 12 vjet pas fjalimit në Gazimestan, Milloshevçqin e dorëzuan në Gjykatën Ndërkombëtare për krime Lufte në Hagë.  E që “rastësia” të jetë edhe më e madhe, pasardhësi i tij, Ivica Daçiq, pikërisht sot, në ditën e Vidovdanit, u mandatua nga presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, për të formuar qeverinë. Kosovën ndërkaq, Vidovdani i sivjemë e gjen shtet të pavarur që prej katër vjetësh.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›