E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, kundër ndërkombëtarëve dhe hipokrit ndaj aleatëve

29-06-2012 / Gazeta 55

Kasnecët e Edvinit kanë rigjallëruar dje pseudo-propozime të reformës zgjedhore, të cilat janë refuzuar më herët nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it. Propozimet e reja sjellin bllokimin e plotë të negociatave për reformën, por edhe zbardhin gënjeshtrën e përsëritur ndaj partive të vogla, të cilave u premtohet solidaritet, por punohet për mosndryshimin e sistemit zgjedhor


Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste, në përmbushje të misionit të saj, për bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat, nëpërmjet bllokimit të reformave integruese, u është rikthyer të njëjtave pretekste. Ndërsa reforma zgjedhore, është “qendra e gravitetit” të këtyre ditëve, PS-ja i rikthehet propozimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, të cilat, janë rrëzuar më parë edhe nga ndërkombëtarët. Me këtë kthim mbrapa, njëherazi Edi Rama, kërkon ti japë vetes edhe pak kohë më tepër, duke zgjedhur të sillet me hipokrizi e të mashtrojë aleatët, me propozime e ripropozime të vjetra, në këmbim të mosdakordësisë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Rikthimi më i fundit te propozimet e vjetra është bërë i ditur dje, nga Damian Gjiknuri, bashkryetari socialisti Komisionit Parlamentar të reformës Zgjedhore. Sipas tij, mësohet se PS-ja ka dërguar pesë propozime të reja në Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke hequr dorë nga numërimi elektronik i votave, por jo nga riformatimi i KQZ-së, hapja e kutive nga dy anëtarë të KQZ-së dhe nga lexuesit e kartave të identitetit në të gjitha qendrat e votimit. Lidhur me këto propozime, ekspertët e mazhorancës sqarojnë se ato janë diskutuar e hedhur poshtë, jo vetëm si të njëanshme, në kundërshtim me rregulloren, por edhe si në kundërshtim me atë që është rënë dakord me ekspertët e ODIHR-it. Megjithatë ekspertët e mazhorancës thonë se janë të gatshëm për diskutimin e të gjitha çështjeve të lëna hapur. Lidhur me këto propozime, bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri bëri ët ditur dje se, propozimet vijnë si shenjë tërheqje nga qëndrimi i deritanishëm, për ti hapur rrugë konsensusit. Në thelb propozimet pranojnë propozimet për projektin pilot për numërimin elektronik por, nuk ndryshojnë qëndrimin për riformatimin e KQZ-së dhe mënyrës së hapjes së kutive të materialeve zgjedhore. “Ka pasur disa ndryshime, lidhur me disa projektet e diskutuara më parë. Kemi bërë një tërheqje për ti hapur rrugë kompromisit. Shpresojmë që mazhoranca të bëjë komente për këto propozime, sikurse ka bërë edhe më parë, ashtu sikurse edhe kanë deklaruar vazhdimisht, ose të respektojnë atë pjesë të qëndrimeve të tyre në Kuvend, ku thonë se i mirëpresin qëndrimet e opozitës. Në qoftë se kanë probleme, le ti thonë, cili është qëndrimi për KQZ-në, cila është formula që ofrojnë, në vijim të rekomandimit të ODIHR-it, i cili shprehet për rikompozimin e KQZ-së dhe të një formule ët re, apo cili është qëndrimi i tyre edhe për çështjet e tjera. Në se ata nuk duan të tolerojnë asgjë, atëherë tregojnë se nuk duan të bëjnë reformë zgjedhore, por duan të mbajnë ‘status cuo’-në e një reforme që adreson vetëm një pjesë të çështjes dhe jo të të tërës dhe që nuk është një reformë e suksesshme”, u shpreh dje Gjiknuri. Nga ana tjetër, eksperti i PD-së në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, e vlerëson si të njëanshëm këtë propozim dhe në shkelje të rregullores. Bylykbashi sqaron se, “këto propozime duhet të diskutohen më parë në nivel ekspertësh e më pas të depozitohen në komision”. Për këtë arsye, Bylykbashi bën të ditur se u është kërkuar takim ekspertëve socialistë, por ata kanë refuzuar. Sipas Oerd Bylykbashit, “propozimet e njëanshme do të hapnin debate, për sa kohë shumë pika ose janë kundërshtuar shumë herët, ose kanë zgjidhje të papranueshme, si roformatimi i KQZ-së, apo hapja e kutive të materialeve zgjedhore, me kërkesën e dy anëtarëve të këtij institucioni. I papranueshëm është edhe fakti i vendosjes së lexuesve elektronikë në të gjitha qendrat e votimit, pasi shkon në kundërshtim me rekomandimet e ODIHR-it”. Për Bylykbashin, “këto propozime, nuk reflektojnë atë se çfarë është rënë dakord me ODIHR-in, ose shkojnë kundër rekomandimeve të këtij organizmi”. Gjithsesi ai konfirmon gatishmërinë për konsultim në nivel ekspertësh dhe për tu ulur e diskutuar për të gjitha çështjet e mbetura hapur, sikurse edhe është diskutuar në prani edhe të ekspertëve të OSBE/ODIHR-it, gjatë vizitës së tyre në dhjetëditëshin e parë të muajit maj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›