Sfidat e demokracisë egjiptiane, pas fitores së islamistit Morsi
Pavarësisht shqetësimeve të përhapura, deklarata e Komisionit egjiptian të Zgjedhjeve se Mohamed Morsi ishte në fakt fitues, shënon zgjedhjet e para të një Egjipti demokratik. Ky nuk është një fund i lumtur. Në të vërtetë ky është një fillim i ndritshëm plot e përplot mundësi për kriza, probleme dhe një të ardhme të mbushur me aventura. Pothuajse për gjysmën e historisë që njohim ne, Egjipti ka qenë në qendër të qytetërimit. Dhe për herë të parë në mbi 5000 vjet, në krye të vendit vjen një udhëheqës nëpërmjet zgjedhjeve. Gjë e cila, në fakt, do të thotë se shumë gjera janë në rrugën e ndryshimit. Kur unë vizitova Kajron pak vite më parë, dëgjova një shaka që shumë miq egjiptianë tregonin asokohe: Presidenti Xhorxh Bush dhe Hosni Mubarak po bisedonin në Shtëpinë e Bardhë në një kohë që Bushi po përgatitej për zgjedhjet që mund ta mbanin në zyrë për një mandat të dytë. Ai e pyeti Mubarakun: “Si ia dilni t’i fitoni të gjitha zgjedhjet me mbi 90% të votave? M’i mëso metodat e tua të lutem! “As që ia kam idenë, - iu gjegj Mubaraku. Në Egjipt, kjo detyrë i bie ministrit të Punëve të Brendshme, Habib el-Adly. Nëse dëshironi mund t’ua dërgoj të udhëheqë fushatën tuaj. Bushi ra dakord dhe në këtë mënyrë el-Adly erdhi në SHBA dhe drejtoi fushatën për rizgjedhjen e Presidentit Bush. Përfundimi? Mubaraku fitoi zgjedhjet në SHBA me rreth 95% të votave. Kjo shaka më ishte ngulitur në mendje ditët e kaluara teksa pritej vendimi përfundimtar i Komisionit egjiptian të zgjedhjeve. Duke mbajtur parasysh 52.3 përqindëshin e votave të fituara nga Morsi, ky është një interpretim i asaj që ngjau: Komisioni i Zgjedhjeve ishte bindur për fitoren e vërtetë të Morsiut... Shkurtimisht, ky vendim - brenda kontekstit të madh të një Egjipti që ndodhet në një pikë vendimtare në rrugën e tij - do të thotë që burokracia civilo-ushtarake ka ulur kokën ndaj presioneve të bëra ndaj saj dhe se një pjesë e pushtetit do të ndahet me popullin e këtij vendi. Kështu një pjesë e pushtetit pritet të ndahet me popullin? Në rregull por sa? Para se të shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura shpërndau Parlamentin e Egjiptit, mori mbi vete detyrat legjislative dhe në proces shtoi hollësitë e fundit mbi të gjithë urdhrin e autoritetit mbrojtës. Tani, me shumë gjasa, i njëjti autoritet mbrojtës do të ndërtohet për Morsin, i cili duhet të udhëheqë kombin i vetëm. Në Egjipt, urdhri i autoritetit ushtarak vihet në vend në bashkërendim me sistemin e Gjykatës së Lartë. Nuk duket e mundshme që ky urdhër të eliminohet shpejt. Ajo për të cilën ka nevojë Vëllazëria Myslimane - e cila fitoi zgjedhjet presidenciale - është koha, dhe jo pak madje. Është e qartë si në mes të ditës së përgjatë kësaj kohe do të ketë shumë provokime të ndërmarra nga status-quo-ja për delegjitimimin e kësaj lëvizjeje sa më shumë të jetë e mundur. Si u bind ushtria për presidencën e Morsiut? - përgjigjja e kësaj pyetjeje është tepër e rëndësishme. Arsyeja e qartë, e ditur, është turma që u mblodh në sheshin Tahrir të Kajros. Dhe pa më të voglin dyshim faktori thelbësor për këtë është edhe presioni që SHBA-ja ushtroi mbi ushtrinë. Ky presion erdhi pasi largimi i presidencës nga Vëllazëria Myslimane do ta kishte shtyrë Egjiptin në një gjendje destabilizimi për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin shumë rëndësi fitimit të miratimit nga ana e popullsisë së një kombi pasi reagimet e zemëruara kundër ushtrisë lehtësisht mund të kthehen në armiqësi kundrejt SHBA-ve e kështu edhe kundër Izraelit. Kjo është arsyeja pse është tepër e rëndësishme që këto zgjedhje nuk ishin një rezultat përfundimtar, por më tepër një fillim. Duke filluar nga tani, dhe për një periudhë të gjatë, Vëllazëria Myslimane do ta shohë bazën e votuesve së bashku me shpresat e tyre të zbuten gjatë procesit. Në përgjigje, lëvizja duhet ta përdorë vërtetë fuqinë e saj dhe t’u japë fund shkeljeve të ligjit. Sa për SHBA-në, ajo duhet të mbajë qëndrimin e saj të qartë dhe të hapur në këtë front. Të gjithë urdhrat ushtarakë shpalosen dhe funksionojnë ngjashëm me njëri-tjetrin. Ne këtu në Turqi jemi tepër familjar me mënyrën se si zhvillohen ngjarjet. Tejembanë procesit të Pranverës Arabe, në Egjipt janë kryer shumë krime; kryesisht këto krime janë kryer nga ata që tani posedojnë autoritetin shtetëror, ndërkohë që kishte edhe krime që dhunonin të drejtat e njeriut. Dhe për sa kohë sistemi gjyqësor ka qenë nën kontrollin e ushtrisë, ka qenë tepër e vështirë për të hedhur dritë mbi këto krime. Por, demokracia vazhdon të krijojë zgjidhje të reja në mënyrë të vazhdueshme. Egjipti ka shënuar një start të shkëlqyer në gjetjen e zgjidhjeve. Një derë është hapur. Por, nevojitet më shumë kohë për të shikuar rezultatet e vërteta. Morsi është vetëm heroi i pjesës së parë të aventurës në demokraci, e cila duket se do të zgjasë për një kohë të gjatë.
...