Serbët sulmojnë policët dhe gazetarët në urën mbi Ibër

Grupe ekstremistësh serbë të premten mbrëma kanë ardhur deri në afërsi të urës së lumit Ibër në Mitrovicë dhe kanë filluar të përforcojnë barrikadën me disa eskavatorë dhe kanë hedhur gjësende të forta dhe gurë në drejtim të policisë së Kosovës dhe medieve.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se janë dëgjuar dy shpërthime për të cilat besohet se ishin mjete shpërthyese, të cilat njihen si “shok-bomba”, pa efekt shkatërrues.
“Nuk është regjistruar asnjë dëm nga këto shpërthime. Situata është përcjellë me përforcime të pengesës së barrikadës të vendosur në urën mbi lumin Ibër me vendosje edhe më tepër të zhavorrit dhe një shtyllë në të cilën ishte vendosur një kamerë e sigurisë është dëmtuar”, ka thënë ai.
Gjatë kohës së shpërthimeve mbi urën kryesore kanë qenë të pranishëm disa gazetarë dhe policë, por për fat të mirë nuk ka të lënduar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë forcat policore dhe karabinierët, të cilët kanë situatën nën kontroll.
Situata tani është qetësuar, ndërsa disa serbë nga këto grupe vazhdojnë të shihen në pjesën veriore afër kafiterisë Dolce Vita.
Ashtu sikur ishte paralajmëruar, policët dhe doganierët e Kosovës janë vendosur në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilët atje janë dërguar me helikopterë të KFOR-it, pasi që serbët kanë bllokuar rrugët që çojnë deri këtyre dy pikave kufitare.