SHBA'të bëjnë thirrje për përmbajtje në Veri

Qeveria amerikane të premten ka shprehur shqetësimin për shkak të shtimit të tensioneve në veri të Kosovës dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve nga serbët në veri të Kosovës pengojnë lirinë e lëvizjes dhe nuk janë në pajtim me aspiratat e Kosovës dhe Serbisë për hyrje në Bashkimin Evropian (BE).
“Gjithsesi jemi të brengosur për shkak të situatës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbajnë paqen dhe t’iu shmangen hapave të ngutshëm, si dhe të përmbahen nga retorika ndezëse”, ka thënë Toner.
Ai në një konferencë për media ka theksuar se KFOR-i dhe EULEX-i ndodhen në veri për të siguruar lëvizjen e sigurt dhe të lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Liria e lëvizjes është në interesin e Kosovës dhe Serbisë, dhe është në pajtim me aspiratat e tyre për hyrje në Bashkimin Evropian. Bllokada e rrugëve gjithsesi nuk i kontribuon kësaj”, ka thënë Toner.
I pyetur nëse situata e tanishme mund të dëmtojë dialogun aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Toner ka thënë se gjithçka që ngrit nivelin e tensioneve dëmton dialogun.
“Besojmë fuqishëm se dialogu duhet të vazhdojë, se ai është pozitiv dhe është në pajtim me aspiratat evropiane të të dyja vendeve”, është shprehur Toner.
Të premten në mëngjes në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri janë vendosur policia dhe doganierët e Kosovës, të cilët atje janë dërguar me helikopterë të KFOR-it, pasi që serbët kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt këtyre dy vendkalimeve kufitare.
Situata në veri është për momentin e qetë, ndërkohë që serbët në mbrëmje në afërsi të urës mbi lumin Ibër kanë hedhur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë së Kosovës dhe medieve që ndodheshin tek ura.