E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët ta kuptojnë drejtë zbatimin e IBM-it

Implementimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM) në mes të Kosovës dhe Serbisë, është jashtëzakonisht i rëndësishme, i cili përkufizon në praktikë sovranitetin territorial të Kosovës, normalizon punën në të gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe vë në jetë implementimin e agjendës, për respektimin e plotë të kushtetutës me ligje të Kosovës. Kështu pohoi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, ku para kabinetit qeveritar, raportoi mbi takimin e mbajtur në Bruksel me presidentin e Serbisë Ivica Daçiq. Ai tha se edhe në këtë takim çështje kryesore, ka qenë zbatimi në praktikë, i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM), marrëveshje kjo e cila do të fillojë së zbatuari më 10 dhjetor të këtij viti. Thaçi, po ashtu, tha se vendosja e kontrollit në pikat kufitare me Serbinë dhe ofrimi i shërbimeve doganore, sipas praktikave evropiane është moment i rëndësishëm për të dyja vendet.

“Implementimi i menaxhuar e integruar i kufirit, konsideroj se është një e arritur dhe sukses i madh në përfundimin e të gjitha përgatitjeve teknike, që po bëhen nga institucionet e Kosovës, ndërkombëtare dhe të Serbisë, për fillimin e zbatimit në praktikë për IBM në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e zhvilluar në Bruksel mes meje dhe kryeministrit Daçiq me lehtësimin e baroneshës Ashtonit, ne jemi dakorduar që zbatimi i IBM të fillojë më datë 10 dhjetor, në orën 8:00 të mëngjesit në pikëkalimin kufitar në Jarinë porta 1 dhe në Merdarë porta 3. Ndërsa në dy pikat tjera, Bernjak porta 31 dhe tek Dheu i Bardhë, porta 5, do të fillojë zbatimi i IBM më 31 dhjetor”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi, po ashtu, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, në veçanti atyre serbë, që ta kuptojnë drejtë zbatimin e IBM-it, pasi që është në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. Ai, po ashtu, i ftoi qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës, që të bashkëpunojnë, me të gjitha agjencitë qeveritare, me qëllim që të evitohen problemet e mundshme, të cilat mund të nxiten nga grupe të ndryshme të interesit, të cilët mund të jenë kundër vendosjes së rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës.

“Në këtë rast u bëj thirrje publike të gjithë qytetarëve të Kosovës, në veçanti qytetarëve serbë në veri, që të kuptojnë drejt procesin e zbatimit të IBM. Ky proces është në interesin e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. Është në interesin e shtetit të Kosovës, në interesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona Kosovës dhe Serbisë. Është kriter dhe standard evropian, nuk është i drejtuar kundër askujt, por është në shërbim dhe në interesin e të gjithëve”, pohoi Thaçi.

Ai, po ashtu, tha se për implementimin e kësaj marrëveshje, kanë dhe mbështetjen e plotë të të gjithë mekanizmave ndërkombëtare, si EULEX, KFOR-it si dhe pëlqimin e plotë të qeverisë së Serbisë.

Si pikë tjetër, e cila është diskutuar në këtë takim dhe për të cilën janë dakorduar, sipas Thaçit, është marrëveshja për hapjen e zyrave ndërlidhëse, në dy shtetet, ku Republika e Kosovës do ta ketë zyrën ndërlidhëse dhe përfaqësuesin e vetë në Beograd dhe Serbia do ta ketë zyrën e vetë ndërlidhëse dhe përfaqësuesin e saj në Prishtinë. Gjithashtu, ai tha se janë pajtuar që në fazën e parë, zyrat ndërlidhëse të dy shteteve të vendosen në ndërtesën e BE-së në Prishtinë dhe Beograd.

“Në javën e ardhme, Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, pas konsultimeve me presidenten Jahjaga, do të emërojmë një prej ambasadorëve aktual, si përfaqësues të Kosovës në Serbi. Sa i përket afatit kohor të emërimit të zyrtarëve ndërlidhës, përfaqësues të shteteve respektive, ne kemi menduar dhe jemi dakorduar, që kjo të bëhet deri nga fundi i muajit dhjetor, brenda vitit 2012”, theksoi Thaçi.

Temë tjetër e diskutimit në këtë takim, sipas Thaçit, ka qenë edhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare si dhe transparenca nga ana e Serbisë, e ndihmës financiare për serbët që jetojnë në Kosovë, duke adresuar si domosdoshmëri transparencën e kësaj ndihme financiare. Thaçi, po ashtu, theksoi se është e domosdoshme që këto fonde të jenë transparente dhe transferi i tyre të bëhet në mënyrë institucionale. Për këtë qëllim, siç tha ai, është diskutuar krijimi i një fondi të veçantë, i cili do të menaxhohet bashkërisht dhe me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare. Esenciale, sipas tij, mbetet që në të ardhmen të gjitha fondet e Serbisë, si ndihmë për serbet në Kosovë, të jenë transparente dhe të transferohen në mënyrë legale në fond të veçantë, i cili do menaxhuar nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

Kryeministri Thaçi, po ashtu, theksoi se në këtë takim, është ngritur dhe çështja e të pagjeturve që vazhdon të jetë plagë e rëndë për gjithë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se në lidhje me këtë çështje janë pajtuar që komisionet përkatëse të vazhdojnë punën e tyre për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai, po ashtu, tha se Qeveria e Kosovës, do të bëjë gjithçka që është e mundur, që kjo çështje të zgjidhet, duke pohuar se ka besim të plotë që bashkësia ndërkombëtare do të rris presionin ndaj Serbisë për këtë çështje.

Ndërsa çështja e shpërbërjes së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe financimi i tyre, do të jenë temë e veçantë që do të diskutohet në takimin e radhës, i cili sipas kryeministrit Thaçi, do të ndodhë në javën e tretë të muajit janar, ndërsa ekipet teknike profesionale, do të punojnë edhe gjatë dhjetorit edhe në fillim të janarit.

Duke vazhduar traditën e informimit të të gjithë spektrit politik dhe opinionit, për të pasur transparancë për arritjen e pajtueshmëri me Serbinë, kryeministri Thaçi, theksoi se ka kërkuar që në njërën nga seancat e Kuvendit, t’i ipet mundësia të raportojë, para deputetëve për takimin në Bruksel. Po ashtu nga nesër ai pohoi që do të ketë takime edhe me liderët e partive tjera, por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, në mënyrë që të informohen me detaje për takimin. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›