Serbi, letër kërcënuese ndaj Jovanovic
Lideri i Partisë Liberal-Demokrate në Serbi, Cedomir Jovanovic ka marrë një kërcënim me jetë, përmes një letre të mbërritur në selinë e partisë së tij.
Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve “INA”, Jovanovic është kërcënuar për shkak të qëndrimeve të tij pro-shkëputjes së Kosovës nga Serbia.
Letra kërcënuese mban firmën e të ashtuquajturës Shoqata e serbëve të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës, e cila paralajmëron me likuidim fizik të politikanit të moderuar.
Në letër kërcënohen gjithashtu anëtarët e familjes së Jovanovic, si dhe persona të tjerë që ndjekin linjën e tij politike.
“Në mënyrë të organizuar ne po përgatitemi për të cliruar Serbinë nga tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e NATO-s. Kemi shumë njerëz të përgatitur, si dhe mjaft armë e municione për të likuduar ata dhe familjet e tyre”, thuhet në letër.
Shoqata në fjalë ka kërkuar sqarime nga Jovanovic, se sa ka përfituar ai nga shqiptarët, amerikanët dhe NATO, me qëllim që të bindë serbët që Kosova t`u kthehet shqiptarëve.
Më tej në letrën kërcënuese grupi bën të ditur se ka informacione mbi lëvizjet e kreut të PLD-së, mbi makinën e tij dhe aktivitete të tjera.
Shpesh herë Jovanovic ka deklaruar se Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur Kosovën dhe së fundmi u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos e lejojnë Beogradin t`i përdorë si mburojë e gjallë.