E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, zbulohet varr masiv me viktima shqiptare



Serbia ka zbuluar një varr masiv ku gjenden trupat e rreth 250 shqiptarëve të Kosovës. Ata besohet se janë vrarë gjatë konfliktit të viteve 1998 - 1999 në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria e Serbisë për krime lufte. "Mund të konfirmojmë se është zbuluar një varr masiv", deklaroi Bruno Vekariç, zëdhënësi i Prokurorisë serbe për krime lufte. Ai shton se sipas të dhënave dhe llogaritjeve të prokurorisë, 250 trupa janë gjetur në afërsi të Raskës në komunën e Rudnicës, vend që gjendet pranë një qendre tjetër, ku është kërkuar për eshtra njerëzore dy vite më parë. Komuna e Rudnicës, është jo shumë larg kufirit me shtetin e Kosovës. Prej vitësh, autoritetet dhe qytetarët kosovarë kanë kërkuar dëshpërimisht përgjigje për zhdukjen e shumë njerëzve të burgosur apo të masakruar nga paramilitarët serbë. Edhe në 2007, mendohet se në Rudnicë të Serbisë, UNMIK-u gabimisht ka gërmuar për varrezë masiv ndërsa besohej se kjo varrezë ishte dy kilometra larg vendit të gërmimit. Asokohe, drejt Serbisë u nis Grupi për Persona të Pagjetur i Kosovës. Që nga lufta e fundit, janë deklaruar të zhdukur 1 mijë e 870 persona. Më herët, zyrtarë të EULEX-it kishin bërë me dije se do të fillonin gërmimet për të vërtetuar nëse në vendin e quajtur Rudnicë, në jug të Serbisë, ndoka kufoma të 300 deri 500 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mendohet se viktimat janë varrosur fillimisht në vend tjetër, pastaj janë sjellë në këtë varr me katër kamionë në 3 qershor 1999.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›