Serbia, ankim në gjykatë për pavarësinë e Kosovës
Serbia ka paralajmëruar se do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përgjigje nëse pavarësia e Kosovës është shpallur në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Serbisë i duhet mbështetja e 51 për qind të shteteve anëtare të OKB-së në mënyrë që Asambleja e Përgjithshme e Organizatës, e cila mblidhet në shtator, t'i kërkojë Gjykatës të deklarohet për këtë çështje. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, po bën një fushatë aktive në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në përpjekje për të siguruar mbështetje për propozimin e tij dhe për të penguar njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. Së fundi, ai ishte në Egjipt për të kërkuar mbështetjen e shteteve arabe për t'i kërkuar mendim Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet t'i drejtojë të njëjtën kërkesë Kinës, gjatë vizitës që do të bëjë më Pekin me rastin e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike.
Qeveria e Kosovës thotë se Kosova tashmë është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga 43 vende dhe pavarësia e saj është një proces i pakthyeshëm. Këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme, Bekim Sejdiu, tha se nëse çështja e vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës i referohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova do të dalë fituese në këtë betejë. "Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është duke analizuar aspektin politik dhe ligjor qoftë të kësaj iniciative, qoftë të një skenari të mundshëm ku do të kërkohej mendimi juridik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne do të fokusohemi ne aspektin politik që çështja të mos referohet fare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por nëse kjo ndodh, Ministria e Punëve të Jashtme do të bëjë çmos që ta fitojmë këtë betejë", tha për BBC-në zoti Sejdiu. Ai theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, siç pretendon Serbia dhe Rusia. "E drejta ndërkombëtare nuk e ndalon lirinë e popujve, një prej parimeve kryesore të së drejtës ndërkombëtare është parimi për vetëvendosje. Nëse e drejta ndërkombëtare ndalon diçka shprehimisht, ato janë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi. Kjo është pikërisht ajo që ka bërë Serbia në Kosovë", deklaroi këshilltari Bekim Sejdiu.
Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare thonë se roli i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është vendimmarrës por këshillues dhe çfarëdo përfundimi që sjell ky institucion, nuk është i detyrueshëm për t'u zbatuar. Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se nëse Gjykata në Hagë vërteton pretendimet e Serbisë për paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo do të ndikojë tek vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, që të mos e njohin atë as më vonë. "Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për thënë kushtimisht ilegalitetin e statusit juridik të Kosovës, mund të ketë rreziqe serioze. Këto rreziqe reflektohen në çështjen e njohjes, respektivisht të bllokimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklarohet që statusi i Kosovës është zgjidhur kundër të drejtës ndërkombëtare kjo do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për shtetet të cilat janë në proces të njohjes apo pretendojnë që më vonë të marrin një vendim për njohje", tha z.Hoti.