E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha po birëson suksesin e pushtetit vendor

Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha se me turin e tij të përurimeve po merr përsipër meritat e punës që kanë kryer drejtuesit e pushtetit vendor nëpër Shqipëri. Pas replikave që kanë shkëmbyer ditët e fundit midis pushtetit vendor në Tiranë dhe pushtetit qendror për investimet publike në kryeqytet, PS ka reaguar dje duke theksuar se debati i hapur nga kryeministri Berisha ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen e shqiptarëve nga problemet e vërteta me të cilat përballet sot vendi, si çmimet e larta, papunësia, kriza në bujqësi etj. Nëpërmjet nënsekretarit për Programin, Ervin Bushati, selia rozë është shprehur se Berisha po bënë punën e kryekomunarëve dhe jo atë të Kryeministrit për të cilën është mandatuar. “I kujtojmë “Kryekomunarit” të Shqipërisë Sali Berisha se: Suksesi ka qindra baballarë, kurse dështimi mbetet jetim. Ky është rasti tipik i Kryeministrit tonë: i cili prej javësh, nxiton të birësojë sukseset sporadike të ndonjë drejtuesi të pushtetit lokal, ndërkohë që dështimet madhore të tij, i injoron në mënyrë konstante duke i lënë jetim. Në vend që të “birësojë” suksesin e disa fermerëve të palodhur, “Kryekomunari” Berisha duhet të saktësojë para shqiptarëve se si lidhen premtimet dhe demagogjia e tij me shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për Bujqësinë. Fondet e subvencioneve në bujqësi janë duke u shpenzuar për militantizëm dhe militantë, gjë që theksohet si shqetësim dhe në raportin e fundit të Bankës Botërore për sektorin bujqësor”, - tha Bushati. Duke u përqendruar tek gjendja në fshat, Bushati ka theksuar se qeveria duhet t’i japë zgjidhje çështjes së prodhimit vendas dhe të heqë dorë nga deklaratat për eksport të mallrave bujqësor. “I kujtojmë “Kryekomunarit” të Shqipërisë se bujqësia ka nevojë për strategji reale, ka nevojë për veprime dhe plan masash konkret për ndërhyrje, nuk ka nevojë për të dëgjuar demagogjinë boshe për rritje të eksporteve, ndërkohë që të gjithë e dimë mirë, që perimet dhe frutat që konsumojmë i marrim jo vetëm nga fqinjët tanë, por dhe prej përtej kontinentit”,- shtoi Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›