Serbia do të kërkojë autonomi për veriun

Sipas gazetës beogradase Blic, përmbushja e marrëveshjes për kalimet kufitare do të duhej të fillonte në muajin dhjetor, kur Këshilli Evropian do të mund të vendoste që Serbisë t’ia japë vendimin e kushtëzuar për datën e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndërsa temat që do të gjenden në tryezën e bisedimeve në Bruksel, më 7 nëntor, do të jenë çështja e financimit të institucioneve serbe në Kosovë, realizimi i marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, trashëgimia fetare e kulturore, shkruan Blic.
Sipas burimit të gazetës nga “qarqet diplomatike”, nga Beogradi dhe Prishtina nuk kërkohet në këtë moment realizimi i plotë i marrëveshjes së arritur.
Tash për tash ekziston propozimi që parasheh dy pilot projekte, nga të cilët një do të ishte në veri të Kosovës, kurse tjetri në Dheun e Bardhë, apo në Merdare.
Duke cituar burimet e saj gazeta serbe thotë se parim themelor i platformës serbe për bisedime me Kosovën janë: statusi i komunitetit serb, s’ka biseda për pavarësinë e Kosovës dhe domosdoshmëria e integrimeve evropiane të Serbisë.