Të gatshëm për hapjen e zyrave

Hapja e këtyre zyrave, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndërkohë që njohja reciproke mes dy vendeve do të ndodh me arritjen e një traktati të paqes.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të premten, numri dy i ekzekutivit të vendit, Kuçi ka thënë se ekzekutivi i vendit është i gatshëm për hapjen e zyrave ndërlidhëse.
“Qëllimi i Qeverisë së Kosovës në radhë ta parë është implementimi i marrëveshjeve të arritura, pastaj kjo që është strukturat e sigurisë, strukturave ilegale në pjesën veriore të vendit. Qeveria e Kosovës është e gatshme që të hap zyrën e vet në Beograd si zyrë ndërlidhëse të një shteti në një shtet tjetër. Të njëjtën gjë është e gatshme të bëjë edhe për Serbinë në Prishtinë. Të gjitha aspektet, sipas Konventës së Vjenës, për marrëdhënie diplomatike të vitit 61 jemi të gatshëm të respektojmë edhe ne besoj edhe ata”, ka theksuar Kuçi.
I pyetur se a do të thotë kjo një hap drejt njohjes, Kuçi ka thënë se njohja reciproke do të ndodh me arritjen e traktatit të paqes.
“Me siguri që është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, por njohjet do të jenë me një akt formal në mes të dy qeverive tona që duhet të ndodh dhe që unë mund t’i quaj të domosdoshme që të arrihet traktati i paqes”, ka deklaruar ai.
Por Qeveria e Kosovës ende nuk ka menduar për ndonjë emër konkret, por sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, do të jetë një person i cili do të përfaqëson interesat nacional të Kosovës, kudo qoftë ai.
Për më tepër, ai ka shtuar së një ndër temat e bisedimeve do të jetë edhe mospengimi i Serbisë për Kosovën dhe anasjelltas në institucionet ndërkombëtare.
“Një ndër temat që duhet të diskutohen në këtë raport është përfaqësimi i Kosovës dhe anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtar dhe garanca që do të marrim për njëri tjetrin edhe Kosovës për Serbinë edhe Serbisë për Kosovën të mos e bllokojmë njëri tjetrin për të fituar një mbështetje për anëtarësim në BE. Natyrisht për njohjen paraprake të pesë shteteve dhe për zhbllokim të Këshillit të Sigurimit në OKB. Ju e dini që këto dyja kanë qenë arsyet kryesore pse ne kemi marr vendim për të hyrë në dialog”, ka theksuar zëvendëskryeministri.
Kuçi ka shtuar se është biseduar me partitë politike që e kanë mbështetur dialogun, por, siç ka thënë ai, dje i është bërë ftesë publike edhe të tjerave që nuk e mbështesin dialogun edhe ekspertëve edhe shoqërisë civile që për temat e caktuara të japin kontributin e duhur.
Sipas tij, përveç nivelit politik dhe autorizimit që ka Qeveria e Kosovës janë edhe komisionet përkatëse që përmenden në Rezolutë të Kuvendit, e të cilat do ta kryejnë rolin e vet.
Ndërkohë, në lidhje me paralajmërimin e protestës për ditën e nesërme, ku pritet të marr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, Kuçi ka thënë se nuk është mirë që sa herë të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë të ketë konfrontime të brendshme.
“Nuk kisha dashur që të ndodh një gjë e tillë. I kuptojmë edhe reagimet e qytetarëve dhe të Vetëvendosjes. Natyrisht ne dëshirojmë që këto reagime të jenë në atë fazë. Të kuptohen si presion publik mbi neve, presion pozitiv po e quaj ashtu që ne të jemi më të përgjegjshëm më të vëmendshëm në dialogun që e bëjmë me Serbinë. Por në çdo rast, dialogu Kosovë-Serbi nuk është arsye që ne të jemi të konfrontuar brenda për brenda por një arsye që të koordinohemi për kohezion nacional dhe partneritet ndërkombëtar”, ka potencuar Kuçi.
Ndërkohë, duke folur për veriun e vendit, ai ka thënë se atje ka disa segmente të aspektit të sigurisë në radhë të parë të rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik, legjitimitetit demokratik.
Por, sipas tij, atje duhet të ketë aktivitet të shtuar të Qeverisë së Kosovës, qytetarëve lokal atje, pastaj institucioneve ndërkombëtare, KFOR-i dhe EULEX-i, por edhe presioni që do të vijë nga Washingtoni dhe Brukseli mbi Beogradin zyrtar për t’i tërhequr strukturat ilegale në atë pjesë.
Ndërkaq në insistimin e gazetarëve për të marr një qëndrim rreth deklaratave të zëvendëskryeministrit Pacolli për Agjencionin Kundër Korrupsion, Kuçi ka thënë se ky institucion mund të bëjë punën e tij ashtu sikurse në bazë të ligjit.
“Qeveria ka bërë krejt çka ka qenë e mundur që Agjencionit Kundër Korrupsion t’i mundësoj punën e lirë, të pavarur profesionale dhe në mënyrë të përgjegjshme, në atë drejtim ajo i ka mbështetjen ajo i ka kompetencat e vet ligjore duke i shfrytëzuar dhe do të i shfrytëzon”, ka theksuar ai.
Pajtohen për zyra?
Kosova dhe Serbia pritet të arrijnë shumë shpejt marrëveshjen për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd. Burime të Express kanë thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë të mërkurën e ardhshme, kur Thaçi dhe Dacic do të takohen për të dytën herë në Bruksel.
Udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë mund të arrijnë marrëveshje të mërkurën e ardhshme për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
Burime të Express kanë treguar se kjo marrëveshje mund të ndodhë në takimin e radhës, që do të mbahet mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic.
Sipas burimeve, mundësia për pajtimin e Thaçit dhe Dacicit për hapjen e zyrave në të dy kryeqytetet është e madhe, duke parë gatishmërinë e liderëve të të dyjave vendeve për arritjen e marrëveshjeve të vështira.
“Hapjen e zyrave ndërlidhëse e kanë kërkuar edhe Sekretarja Clinton dhe Baronesha Ashton gjatë takimeve që kanë pasur me Dacicin në Beograd dhe me Thaçin në Prishtinë”, ka thënë burimi.
Gatishmërinë e Beogradit për të diskutuar tema të rënda e ka konfirmuar të enjten edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, gjatë një takimi që ka pasur me drejtorin për Zgjerim të BE’së, Stefano Sanino.
Dacic ka konfirmuar se takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahet më 7 nëntor.
“Me siguri është zakon që të nisemi nga temat më të lehta, por nuk ikim nga bisedimet mbi temat më të vështira. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë jo vetëm mbi energjinë elektrike dhe telefoninë, veç edhe mbi zgjidhjen përfundimtare”, ka deklaruar Dacic.
Ndërkohë, në Kosovë, Kryeministri Hashim Thaçi tek ka raportuar para deputetëve për takimin që ka pasur me Dacic më 19 tetor në Bruksel, ku ka thënë të jetë diskutuar edhe hapja e zyrave ndërlidhëse.
“Është diskutuar mundësia e shpejtë e hapjes së zyrave ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe anasjelltas, të Serbisë në Prishtinë”, ka lexuar Thaçi pikën e tetë të temave që ka përmendur të jenë diskutuar gjatë takimit me Dacicin.
Takimi i parë Thaçi-Dacic ka ndodhur një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën autorizonte Qeverinë për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Thaçi gjatë raportimit në Kuvend ka thënë se me shefin e Qeverisë serbe ka diskutuar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik si dhe zbardhjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Largimin e strukturave ilegale të Serbisë në veri, Thaçi e ka renditur si temë të tretë që e ka prezantuar zyrtarit serb në prani të Shefes për Politikë dhe Siguri të BE’së, Chatherine Ashton.
Temat tjera që i ka zbardhur në debatin tri orësh para deputetëve, Kryeministri i ka përmendur mos-pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, mbrojtjen e trashëgimisë serbe ne Kosovë; përfundimin e decentralizimit dhe formimin e Komunës së re të Mitrovicës Veriore. Temën e parafundit e ka renditur energjinë dhe telekomunikacionin.
Thaçi para deputetëve të Kuvendit ka thënë se është i hapur për të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile që të marrin pjesë në proceset e ardhshme në kuadër të dialogut.
Por, ai ka thënë se i garanton të gjithë se statusi i Kosovës nuk do të diskutohet me askënd.
“Është fakt i pamohueshëm nga të dy palët se dialogu është për zgjidhjen e çështjeve që nuk janë statusore e as që rrezikojnë në asnjë rrethanë integritetin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Ndaj deklaratave të Kryeministrit Thaçi kanë reaguar vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kanë konsideruar takimin me Dacic si kriminal.
Sikurse deputetët e PDK’së, edhe shumica e deputetëve të LDK’së dhe AAK’së e kanë falënderuar Kryeministrin që ka raportuar për nisjen e dialogut me Serbinë.
Deputet i PDK’së, Arsim Bajrami, kur e ka marrë fjalën në emër të Grupit Parlamentar, e ka nisur fjalimin duke lavdëruar Kryeministrin. Ka thënë se u beson shkathtësive të shefit partiak, i cili ka qenë udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambouillet si dhe pjesëmarrës në negociatat e Vjenës, që kanë rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Edhe deputetët e tjerë të PDK’së i kanë dhënë përkrahje Kryeministrit, përveç Hydajet Hysenit, i cili ka kërkuar të mos hyhet në dialog pa u frikësuar dhe pa u përgatitur.
Në anën tjetër, Nënkryetari i LDK’së dhe i Kuvendit, Sabri Hamiti ka thënë se procesi i bisedimeve mund të shkojë drejt temave për territore.
“Në pikën e fundit, Kosova dhe Serbia do të mbërrijnë në pikën e bisedimeve për territore, ndërsa Kosova për interesin e qytetarëve”, ka shtuar Hamiti.
Hamiti bashkë me deputetin e pavarur Muhamet Mustafën kanë kërkuar të hartohet një dokument në formë platforme.
“Është e nevojshme një platformë, është patjetër. Për çka do të bisedohet, strategjia si do të bisedohet dhe qëllimi ku do të arrihet”, ka kërkuar ai.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se takimi Thaçi-Dacic është shans i humbur për Kosovën, pasi është suspenduar shtetndërtimi dhe se veriu do të jetë në qendër të takimeve mes dy vendeve.
“Është humbur shansi i dyfishtë. Së pari e dimë që kishim varësi nga Serbia për integrim. Serbia nuk avancon drejt Brukselit pa ndihmën e Kosovës dhe nuk po shfrytëzohet varësia e Serbisë nga Kosova dhe për këtë arsye se ky takim paraqet rast të humbur”, ka thënë Kurti.
Por, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabofci ka thënë Serbia dhe Lëvizja Vetëvendosje janë kundër Kosovës.
Akuzat mes zyrtarëve të partitë së parë dhe të tretë në Kuvend kanë vazhduar.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Yemri ka thënë se takimi mes Thaçit dhe Dacic përveç se është kriminal, është edhe i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.
Por, me këtë konstatim nuk është pajtuar Zëvendësi i Thaçi, Hajredin Kuçi.
“Nuk është takim kriminal. Takimi kriminal është aty ku njerëzit merren vesh me vra dikë”, ka reaguar Kuçi
Ai ka thënë se pajtohet me Vetëvendosjen se Ivica Dacic është kriminel, por takimi nuk ka qenë kriminal, që është zhvilluar mes dy Kryeministrave.
Edhe kësaj radhe, Kuçi ka përdorur klishenë e tij për kurrizin.
“Duhet ta shtrijmë kurrizin, po jo ta thyejmë atë”, ka thënë Kuçi.
Ndërkohë, Kryeministri ka paralajmëruar se në fund të dialogut do të ndodhë edhe njohja reciproke me Serbinë.
“Si rezultat përfundimtar i dialogut do të jetë medoemos normalizimi i marrëdhënieve dhe logjikisht në një fazë të mëvonshme edhe njohja e Kosovës nga ana e Serbisë si shtet”.