Serbia e pengon rajonin drejt BE-së
Diplomatë dhe ish-diplomatë nga Kosova e rajoni, dhe profesorë universitetesh evropiane, diskutuan mbi perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE. Ata theksuan nevojën për koherencë mes shteteve anëtare të BE-së lidhur me këtë çështje. Luftimi i lodhjes nga zgjerimi që, mbizotëron në mesin e një pjese të madhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, mbetet detyra kryesore e shteteve të Ballkanit Perëndimor që synojnë t'i bashkohen BE-së, vlerësuan përfaqësuesit dhe ish-përfaqësuesit qeveritarë të vendeve të rajonit. Kjo detyrë, sipas tyre, mund të arrihet me përmbushjen e kushteve të nevojshme nga shtatë shtetet e rajonit, gjë që kërkon mbështetjen jo vetëm të Brukselit zyrtar, por edhe unitetin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha sa Bashkimi Evropian do të mbetej i paplotë, në qoftë se vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk u mundësohet integrimi evropian. Ai theksoi se pengesat diplomatike që Serbia po i vë në rrugë Kosovës, po e mbajnë prapa gjithë rajonin, kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane.