E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, gati kandidatura në BE, Kosova, pezull me fizibilitetin

Tadiç e Barroso pas diskutimit për kandidaturën e Serbisë

Beogradi, vendimi gjatë javës, Ashton: Kosova nis hapin e parë.

Pas marrëveshjes së zhurmshme me Kosovën, Serbia ka fituar statusin kandidat për në Bashkimin Europian, ndërsa Prishtina është vlerësuar me propozimin për nisjen e procesit të fizibilitetit.
Këshilli i Ministrave i BE-së ka rekomanduar dje se Serbia duhet ta fitojë statusin e kandidatit për pranim në BE. Vendimi do të zyrtarizohet nga liderët e BE-së, në samitin që mbahet ditët në vijim në Bruksel. Kryetari i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, u shpreh se është me rëndësi që Serbia të mbetet e përkushtuar për reforma ambicioze në dialogun e saj me Prishtinën. Diskutimet në Bruksel ishin të përçara. Disa eurodeputetë thanë se Rumania e kishte bllokuar mbështetjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e minoritetit të saj në këtë vend. Kam besim se vendimi do të konfirmohet nga krerët e shteteve dhe qeverive gjatë kësaj jave, tha komisionari i Zgjerimit në BE, Stefan Fyle. Një deputet i PE-së ka deklaruar për Wall Street Journal se nuk mund ta përjashtoni plotësisht mundësinë që marrëveshja të bllokohet nga ndonjë shef qeverie. Ndërkohë, Komisioni Europian pritet të nisë studimin e fizibilitetit me Kosovën. Ministrat e Jashtëm të BE-së të martën kanë marrë vendimin që të nisë studimi i fizibilitetit me Kosovën, i cili rrjedhimisht brenda një periudhe dyvjeçare do të mund të çonte te Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë kërkuar që në konkluzionet e mbledhjes të theksohet se është marrë në dijeni synimi i Komisionit Europian për këtë. Të enjten, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të takohet në Bruksel me kryediplomaten europiane, Katerin Ashton. Në një konferencë shtypi, ajo është shprehur se Komisioni propozon studim fizibiliteti, që është pjesa e parë, e cila vlerëson nëse është potenciali për të pasur një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi. Kjo nuk do të thotë se do të ndodhë dhe as se nuk do të ndodhë. Këtë do të na e thotë studimi i fizibilitetit, deklaroi Ashton.

Koshtunica
Lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, deklaroi dje se nga statusi i kandidatit për pranim në BE nuk ka kurrfarë përfitimi, dhe se Serbia duhet të largohet nga integrimet europiane, pasi ato paraqesin vetëshkatërrim.
Pushteti i tashëm u ka pranuar separatistëve shqiptarë se në territorin tonë ekziston shteti i Kosovës me yll, tha Koshtunica, duke shtuar se për shkak të kësaj BE është revanshuar dhe e ka dhuruar pushtetin në Serbi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›