E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia jo në BE, pa njohur shtetin e ri të Kosovës

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Christian Tomuschat ka deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa ka shtuar se, pa njohjen e Kosovës nuk do të ketë anëtarësim të Serbisë në BE. Mendoj se mund të pranohen vetëm së bashku, por edhe anëtarësimi i Kosovës do të jetë problem shumë i madh për BE-në, sepse Kosova ekonomikisht është jashtëzakonisht e dobët. Mendoj se është shumë problematike që Kosova të

bëhet anëtare e plotfuqishme dhe të marrë vendime sikur të gjitha vendet tjera. Këtu duhet të kemi një politikë shumë të mirë dhe largpamëse, për të gjetur një zgjidhje të mirë, ka thënë Tomuschat. Sipas profesorit Tomuschat, për shkak të gjendjes në të cilën kosovarët ishin për më shumë se një dekadë, ishte e paevitueshme që të vendosin për shpalljen e pavarësisë. Ndërkaq, i pyetur se çfarë mund të pritet nga mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Tomuschat ka thënë se ai nuk i njeh raportet brenda Gjykatës, por nuk mund ta marrë me mend që Gjykata të japë një mendim negativ. Në fund të fundit, rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapsht dhe mendoj se duhet të shikojmë drejt ardhmërisë. Një ditë do të kemi raporte shumë miqësore mes Serbisë dhe Kosovës. Kur e mendojmë Evropën Perëndimore ku gati që më nuk ka kufij, atëherë duhet të shpresojmë se edhe raportet e Kosovës, me Serbinë dhe Malin e Zi shumë lehtë do të përmirësohen dhe do të vendoset një harmoni. Sa i përket raporteve me Shqipërinë, gjithsesi nuk ka probleme të mëdha, theksoi ai.
 

Last Updated on E Shtune, 13 Shkurt 2010 21:49

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›