ISHP: Ndotja e ajrit mbi normat e BE, fajtore Bashkia dhe Ministria e Mjedisit
Specialistët vërejnë se ndotja e ajrit ka mbetur në të njëjtin nivel gjatë 4 viteve të fundit
Ndotja e ajrit në vendin tonë jo vetëm që nuk është reduktuar, por shifrat e monitorimit vazhdojnë të jenë të njëjtat për 4 vite me radhazi. Ato rezultojnë të jenë dhjetëfish mbi normat e lejuara të Bashkimit Evropian dhe Tirana zë vendin e parë. Në raportin e fundit dërguar ministrisë së Shëndetësisë, departamenti i Mjedisit në ISHP shprehet i shqetësuar për rritjen e lartë të numrit të grimcave respiratorë. Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, ne e kemi
monitoruar ajrin në 6 qytete, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Fier dhe Korçë. Vëmë re me keqardhje se nuk ka asnjë ndryshim sidomos në grimcat e respirueshme të cilat gjenden mbi normat e BE, kjo për faj të rrugëve të ndotura. Një tjetër parametër shqetësues që vihet re për herë të parë në monitorimin e ajrit është rritja e normës së BE për benzenin, gazi që lëshohet nga makinat në trafik, kanë pohuar specialisti e Institutit të Shëndetit Publik. Po të njëjta burime kanë pohuar se gazi që çlirohet në kryeqytete është gaz kancerogjen dhe tepër problematikë. Ne e kishim paralajmëruar këtë situatë, që benzeni kancerogjen dhe bioksidi i azotit të cilat çlirohen nga trafiku i makinave do të kapërcenin normat e lejuara të BE. Kjo ndodhi dhe faj për këtë kanë masat e pazbatuara nga Ministria e Mjedisit dhe bashkia të cilat ndonëse kanë hartuar plane për përmirësimin e cilësisë së ajrit, gjendja sa vjen e po rëndohet, thotë raporti i ISHP. Specialistët i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë që tu kërkojë institucioneve të këmbëngulin në zbatimin e masave që nga kontrolli i gazeve të makinave e deri tek mbajtja e rrugëve pastër.Situata Tirana vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit, pasi në disa zona niveli i ndotjes të pluhurave në atmosferën urbane, janë 10 herë mbi normat e BE. Këtë e dëshmon rezultati i monitorimit të ajrit për vitin 2009, sipas të cilit, nuk është vërejtur asnjë përmirësim i cilësisë së ajrit. Qytetet ku është kryer studimi për një afat të gjatë kohor, përreth një vit, janë: Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Fier dhe Korçë Në këto qytete janë marrë 8 mostra ajri në pika të ndryshme dhe ndotja ka rezultuar sa dyfishi i normave të lejuara nga BE-ja. Të gjitha mostrat e marra janë analizuar gjatë këtyre muajve dhe janë nxjerrë rezultatet përfundimtare. Sipas rezultateve të nxjerra nga ky laborator, Tirana është problem kryesor për përmbajtjen e grimcave në ajër. Vërehet se edhe dyoksidi i azotit NO2 ka vlera të konsiderueshme në shumicën e pikave të Tiranës dhe në disa qytete të tjera kryesore të vendit. Përmbajtja e grimcave të ngurta (LNP e PM 10) në ajrin e qytetit të Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Fierit, Vlorës dhe Korçës në mënyrë të qëndrueshme tejkalon në masën 2-4.5 herë normat e lejuara të vendeve të BE-së. Dioksidi i azotit NO2 është në rritje të vazhdueshme brenda pesë viteve të fundit. Po kështu edhe benzeni C6H6 pritet të jetë problem i madh në të ardhmen. Këto gazra shkarkohen kryesisht nga trafiku që në shkallë kombëtare përbën një problem shëndetësor e mjedisor. Niveli i lartë i ndotjes ndikon në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Specialistët e ISHP-së kanë bërë matje të gazrave në ajër, të NO2 dhe Benzenit, të cilat kanë rezultuar tepër të larta, 30 për qind mbi normat e lejuara nga BE.Rreziku që u kanoset qytetarëve Specialistët shpeshherë kanë bërë të ditur se ka një shtim të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Në kohët e fundit, në jo pak raste është konstatuar ndotje e ujit dhe e ajrit duke provokuar kështu shumë sëmundje të tjera nga këto ndryshime. Shqipëria ka probleme për shkak të një ekosistemi të dëmtuar dhe të ndotjeve që ka shkaktuar urbanizimi i shpejtë, trefishimi i popullsisë në qendrat kryesore urbane, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Mosha e tretë apo fëmijët e vegjël i ndiejnë më shumë pasojat e këtyre rreziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës. Sipas specialistëve të ISHP-së, ndotja rrezikon shfaqjen e një numri të lartë sëmundjesh. Kështu, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes pasohen nga sëmundjet e moshës prenatale, sëmundje simptomatike, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut, infeksione të sistemit nervor qendror, infektive, etj.Liri Mëhalla