Forcohet leku

Monedha shqiptare u forcua në fund të javës, për ditën e dytë radhazi, kundrejt monedhës së përbashkët evropiane.
Agjencitë e këmbimit valutor thanë se shkaku i forcimit ka qenë volumi i pakët i shitblerjeve në treg.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro kushtoi dje 138.45 lekë, 0.7 për qind më lirë sesa kulmi i shënuar, ditën e martë, në kuotën 139.39 lekë. Kundrejt dollarit, leku humbi 1 për qind, si pasojë e forcimit të monedhës amerikane në tregun ndërkombëtar. Dollari kushtoi mesatarisht 101 lekë, kuota më e lartë e shënuar që nga maji i vitit të kaluar.
Për shkak se vetëm 20 për qind e importeve shqiptare janë në dollarë dhe për shkak se një pjesë shumë e vogël e prurjeve valutore nga jashtë kryhen në këtë monedhë, leku ndjek euron në kuotimin kundrejt monedhës amerikane.
Tregu i këmbimit valutor me pakicë as dje nuk pasqyroi tendencën e përgjithshme në tregun ndërbankar me shumicë. Sipas të dhënave të agjencive ndërkombëtare të informimit, euro kushtoi pasdreken e djeshme 137.8 lekë.