E Diel, 1 Nëntor 2026

'Serbia nuk kalon', bllokohen mbështetësit nga Tirana, PK blindon kufijtë

TIRANE - “Sot, Serbia nuk kalon” – është ky slogani i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, që synohet të zbatohet në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me shtetin serb, përkatësisht në Merdare dhe në Dheun e Bardhë. Pavarësisht kritikave të ashpra dhe thirrjeve për të mos e zhvilluar aksionin në pikat kufitare, lëvizja "Vetëvendosje” nisi rreth orës 13:00 protestën e paralajmeruar në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Lirohen 2 aktivistët shqiptarë
Ora: 14:00- Aktivistët shqiptarë tentuan të kalojnë në këmbë kufirin me Kosovën por u ndaluan nga policët kosovarë, të cilat janë të shumtë edhe në kufirin me vendin tonë.
Aktivistët Elton Ndeka dhe Klodian Hisa u ndaluan për disa orë dhe tashmë vijojnë të qëndrojnë në tokën neutrale së bashku me mbështetësit e tjerë që u nisën nga Tirana në orët e para të mëngjesit.

Kurti: Protestoni në mënyrë paqësore
Ora: 13:45 - Gjatë një fjalimi të mbajtur para më shumë se 200 protestuesve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithëve të protestojnë në mënyrë paqësore kundër moszbatimit të mocionit të reciprocitetit të Kuvendit të Kosovës me Serbinë.

Albin Kurti tha se me bllokimin e rrugës nga Policia e Kosovës, qeveria e Kosovës po bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në territorin e Kosovës, ndërsa po lejon qarkullimin e makinave dhe mallrave serbe për në Kosovë.

Policia konfiskon batanijet dhe tendat e protestuesve
Ora: 13:40 - Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se policia u ka konfiskuar aktivistëve të gjitha sendet që kishin me vete, si batanijet dhe tendat.
Disa nga aktivistët kanë refuzuar t’i dorëzonin sendet e tyre, duke kërkuar urdhër me shkrim për konfiskimin e gjërave të tyre personale, pasi siç kanë thënë ata, nuk është e jashtëligjshme mbajtja e batanijeve.
Në shenjë revolte disa nga aktivistët kanë zhveshur edhe rrobat dhe iu kanë dhënë policëve.

Situatë e tensionuar në Podujevë
Ora: 13:37 - Sipas mediave kosovare, protestuesit e Vetëvendosjes dhe forcat e policisë janë konfrontuar në Podujevë. Policia i ky shtyjë protestuesit për rreth 10 metra prapa, duke u kërkuar që të largohen më tej në mënyrë që rruga të mos mbetet e bllokuar, ndërsa protestuesit nuk dëshirojnë që të largohen, por të mësyjnë kufirin.
Në këtë tubim janë të grumbulluar rreth 200-300, ndërsa edhe disa autobusë janë duke arritur në vend të ngjarjes.

Aktivistët nga Tirana bllokohen në Vermicë
Ora: 13:28- Aktivistët e nisur nga Tirana në mbështetje të aksionit të lëvizjes Vetëvendosje vijojnë të jenë të bllokuar në Vermicë, pasi autoritetet kufitare nuk kanë lejuar kalimin e autobusëve të tyre.

Në një lidhje telefonike në NEWS24, aktivisti Gentian Sala bëri të ditur se ata po presin prej dy orësh për të kaluar kufirin, por autoritetet kanë ngritur dyshime rreth dokumentacionit të autobusëve me të cilët udhëtonin. Sipas Salës, rreth 100 aktivistët e nisur nga Tirana janë bllokuar në tokën neutrale, në Vermicë, pasi nuk lejohen të vijojnë as udhëtimin në këmbë.

Ata shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të presin derisa të lejohet kalimi i tyre drejt pikës kufitare të Merdarës, ku do t’i bashkohen mbështetësve të Vetëvendosjes.

Forca të shumta police në Merdarë, postbllok te Dheu i Bardhë
Ora: 12:35 -Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë vendosur në pikën kufitare në Merdarë. Në këtë pikë vërehen edhe automjete të blinduara të PK-së, si dhe automjete tjera, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it. Ndërkaq, siç raporton gazeta “Zërit”, mësohet se edhe gjatë rrugës Prishtinë-Merdarë, ka numër të shtuar të forcave policore ndërsa numri më i madh i tyre është i përqendruar në hyrje të qytetit të Podujevës.Policia po kontrollon pothuajse të gjitha automjetet që mësyjnë kufirin.

Ndërkohë në hyrje të pikës kufitare drejt Serbisë, Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka ngritur një postbllok.Dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë stacionuar në udhëkryqin Kamenicë-Dheu i Bardhë, ku po kontrollojnë të gjitha lëvizjet e automjeteve, ndërsa pak minuta më parë kanë ndalur një autobus me aktivistë të Vetëvendosjes, të cilin nuk e kanë lënë që të shkojë te pika kufitare.

Morinë, vonohen autobusët me aktivistë shqiptarë
Ora 12:10- Aktivistët shqiptarë që janë drejtuar drejt Kosovës, në mbështetje të protestës së paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë të presin prej rreth një ore në pikën kufitare të Morinës. Aktivistët pretendojnë se autoritetet kufitare po vonojnë qëllimisht procedurat për të mos lejuar mbërritjen e tyre në kohë në protestën e orës 13:00.

Sipas aktivistëve, të gjitha makinat e tjera kanë mbaruar procedurat në një kohë të shkurtër dhe kanë kaluar kufirin, përveç dy autobusëve me mbështetës shqiptare të Vetëvendosje-s, të cilëve u është kërkuar të ribëjnë listën e pjesëmarësve.

“Në fillim na thanë që nuk punon sistemi, tani na kërkojnë të ribëjmë listën e pjesëmarrësve. Makinat e tjera po kalojnë drejt Kosovës,vetëm 2 autobusët nuk lejohen të kalojnë. Ka 1 orë që nuk po verifikohet asgjë.” - shprehen aktivistët.

Nisën drejt Kosovës aktivistë nga Tirana
Ora: 08:00- Dy autobusë nga Tirana janë nisur sot drejt Kosovës rreth orës 7:00 të mëngjesit nga stadiumi ’Qemal Stafa’. Rreth 100 mbështetës të "Vetëvendosje”-s do t’i bashkohen protestës së sotme në pikat kufitare me Serbinë. Dy autobusët e nisur nga Tirana kanë një flamur kombëtar në pjesën ballore të tyre.

Ndërkohë, organizatorët nga Shqipëria thonë se qytetarë të tjerë nga qytetet, Durrës, Vlorë dhe Shkodër janë nisur drejt Kosovës me automjetet e tyre private.
Ditë më parë, në rrjetin social Facebook kreu i "Vetëvendosje”-s Albin Kurti bëri thirrje për pjesëmarrje në këtë aksion.

Policia e Kosovës merr masa
Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së “Vetëvendosje”-s , për këtë arsye ka hartuar edhe urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit, pastaj shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.

Policia bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim të rrugëve si dhe asnjë qasje të protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimin e tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosje”-s.
Policia sqaron se nëse është e nevojshme do t’i ndalojë të gjithë qytetarët që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre do të cënojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike.

Kurti: Protesta zhvillohet në momentin e duhur
Kryetari i “Vetëvendosje”-s Albin Kurti këmbëngul se organizimi i protestës zhvillohet në kohën e duhur dhe në formën e duhur.
"Protesta zhvillohet në momentin e duhur, pasi pritëm gati dy javë që qeveria e Kosovës të respektojë vendimin e marrë më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Parlamenti, që Kosova të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.”-shprehet Kurti.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Aksioni i 'VV', SHBA paralajmëron qytetarët e saj: Bëni kujdes VIDEO: Mbështetës nga Tirana drejt Kosovës FOTO: Pamje nga nisja e aktivistëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›