Serbia përballet me një valë të re të pastrehësh
Milan K, 56 vjeç, ka jetuar në rrugët e Beogradit për 13 vitet e fundit, një nga mijra shtetasit serbë që nuk kanë dokumente personale dhe janë privuar nga shumë të drejta, duke përfshirë asistencën e punës, trajtimin mjekësor dhe të drejtën e votimit. Një ligj i ri mbi banimin që mundëson shtetasit pa një adresë të përhershme t’u jepen karta ID dhe dokumente të tjera, kaloi në nëntor 2011, me nismën e avokatit të popullit Sasha Jankoviç. Megjithatë, që atëhere, është bërë pak për të zbatuar legjislacionin, duke lënë shumë njerëz të pastrehë në rrugë, që nuk e dinë se shteti mund t’i ndihmojë ata. Milan është një nga rreth 3000 njerëz të pastrehë që jetojnë në Beograd duke kaluar ditë e net në parqe dhe nën urat. "Në dimër unë fle në vagonët e trenave, autobusë, tramvaje. Nganjëherë, po të kem fat, kaloj një ditë apo dy në strehën për të moshuarit dhe adultët", tha ai. Kjo strehë është i vetmi institucion në Serbi që pranon njerëz pa dokument. Në të tjerat, është e nevojshme të kesh së paku një kartë ID. Legjislacioni i ri ishte për të përmirësuar gjëndjen e jo vetëm njerëzve të pastrehë por të gjithë atyre që nuk kanë dokumente të vlefshme, duke përfshirë romët, refugjatët dhe azil-kërkuesit. Ai jep mundësi për njerëzit pa një shtëpi të raportojnë banimin e tyre në qendrat sociale, duke i mundësuar ata të aplikojnë për një kartë ID, siguracion shëndetësor apo asistencë nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Milan tund kokën e tij kur pyetet në qoftë se dëgjoi për mundësinë. "Nuk e di për këtë, por cila është dobia e saj? Unë nuk kam para të paguaj për ID. E di që nuk do të gjeja një punë apo një vend për të rrojtur me dokumentet e reja. Kjo është një ide e mirë vetëm në qoftë se mund të kem ndonjë ndihmë të vërtetë si ushqim gratis, strehim", i tha Milan SETimes. Sipas Jankoviç, politikanët serbë e kanë shpërfillur këtë problem prej vitesh. "Autoritetet përgjegjëse të shtetit dhe shërbimet publike nuk kanë bërë asgjë duke përfshirë gjënë e parë dhe më bazë: përgatitjen e formularëve të nevojshëm dhe procedurave dhe informimin e publikut, veçanërisht njerëzve të pastrehë lidhur me ligjin. Arsyeja kryesore pse u regjistruan një numër kaq i vogël njerëzish në gjashtë muaj është se shumë nuk dinë ende për ligjin, të drejtat e tyre dhe si të arrijnë këto të drejta", tha Jankoviç. Sipas ministrisë së punës dhe politikës sociale, vetëm 26 njerëz janë regjistruar. Një studim i një Qendre Strehimi OJQ notuar në mars 2012 tregoi se janë 30000 njerëz në Serbi pa karta ID. "Arsyeja për reagimin e dobët...është se procedurat ligjore duan kohë të zbatojnë ligjin. Ne nuk kemi kaluar ende urdhëresat dhe rregulloren. Ne po presim për pëlqimin nga ministria e brendshme", i tha SETimes Dragan Vuleviç, kreu i detyrave administrative dhe mbikëqyrëse në ministrinë e punës dhe politikës sociale. Qendra për punën sociale ne Beograd tha se ata po presin gjithashtu për urdhëresat ligjore që do të përcaktojnë detyrimet dhe procedurat. Situata është e ngjashme në vende të tjera anembanë rajonit. Kroacia dhe Bosnje dhe Hercegovina po planifikojnë ende të kalojnë ligjet për banimin, që do t’u japë adresa të reja dhe dokumente njerëzve të pastrehë.
...