E keqja që vjen nga komunizmi mposhtet vetëm me shembuj si ai i senatorit Cleland
I nderuar zoti kryeministër!
I nderuar zoti ambasador i SHBA-së!
I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës!
I nderuar zoti ministër i Mbrojtjes!
Të nderuar deputetë, të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik si dhe personalitete të tjera të shquara, që jeni sot të pranishëm
E nderuara, zonja Linda Dean!
Në morinë e madhe të titujve që i rekomandohen shtëpisë tonë botuese, e zgjodha personalisht e me dëshirë të madhe botimin e kujtimeve të Max Cleland, ish-senatorit të shquar të SHBA-ve. E zgjodha Clelandin, sepse kujtimet e tij kanë një domethënie të madhe për shoqëritë e lira, e posaçërisht për shoqëritë e reja në liri, si shoqëria shqiptare. Çdo njeri e çdo shoqëri përballet shpesh me Vietnamin e vet, me Vietnamin si sfidë, por para së gjithash me domosdoshmërinë e fitores mbi Vietnamin.
Të fitosh mbi Vietnamin ka kuptim të drejtpërdrejtë për ushtarin në luftë, por është një leksion për të gjithë që ndeshen me Vietnamin e së keqes, ndeshen me Vietnamin e diktaturës, me Vietnamin e të keqes komuniste. Ajo luftë dhe ajo e keqe e gjymtoi Max Clelandin, dhe ai dëshmon para publikut për këtë betejë të tijën. Por ato s’janë veç kujtime të një heroi, por janë edhe dëshmi, edhe leksione, se si mund të ndeshesh e se si mund të fitosh ndaj një të keqeje si komunizmi, që s’po resht së vrari, aty ku ka pushtetin e aty ku ka mundësi...
Por edhe që s’pushon së gjymtuari shoqëritë tona të lira, aty ku s’ka pushtetin e forcës, por ku ka ende energjinë për të vjedhur, për të shpifur e për të turpëruar. Kujtimet e Clelandit janë leksione moderne, për shkak se perandoria komuniste e së keqes s’është zhdukur, por thjesht ka ndryshuar formë, duke u shfaqur mes nesh herë si lëvizje antishtetërore, herë si lëvizje antiprogres e herë si lëvizje antimoral.
Në momente jo shumë të thjeshta për shoqëritë, siç janë tranzicionet - moment që po e kalon edhe shoqëria shqiptare – evidentimi i shembujve moralë është një punë fort e dëshirueshme dhe e lavdërueshme. sipas mendimit tim. E ku më spikatës sesa tek kujtimet e një zemre patriote si ajo e Max Clelandit do të mund ta gjenim shembullin e duhur për t’i dhënë lexuesit shqiptar.
Si për ta plotësuar simbolikën e këtij publikimi, promovimin e organizojmë me 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një datë që shenjon domethënien e pavarësisë, jo veç për amerikanët, por për të gjitha shoqëritë që janë ngritur dhe jetojnë mbi parimin e lirisë. Edhe më e fortë është domethënia e 4 korrikut dhe e Max Clelandit për shqiptarët dhe shtetin që ata trashëgojnë tash e 100 vjet. Në shqiptarët trashëguam një shtet të gjymtuar, jo vetëm nga pikëpamja e territorit, por edhe nga pikëpamja e financave, infrastrukturës, etnografisë e religjionit.
Prej këtij gjymtimi të pamerituar, shqiptarët po përpiqen të kurohen përmes reformave që e afrojnë me Perëndimin dhe një leksion qëndrese vjen padiskutim edhe nga kujtimet e Max Clelandit. Një bilanc i thjeshtë na kujton se tentativa për ta vijuar gjymtimin gjallojnë edhe sot, përmes përpjekjeve për të bllokuar aspiratat euro-atlantiste të të gjithë shqiptarëve në hapësirat e tyre jetike në Ballkan. Prandaj, e kemi thirrur edhe përvojën e patriotit Max Cleland, si një simbol të qëndresës dhe të fitores, një shembull të cilit ia paraqesim lexuesit shqiptar të shekullit të 21, shtetasve të një vendi anëtar të NATO-s.
Në këtë ditë krenarie për botimet 55, s’mund të rri pa falënderuar të gjithë ata që kontribuan në publikimin e kësaj biografie kaq të veçantë për Max Cleland, në radhë të parë përkthyesen Etleva Sakajeva, si dhe të gjithë dashamirët e këtij botimi.
Fjala e Presidentit të Shtëpisë Botuese “55” në ceremoninë e mbrëmshme të promovimit të librit “Zemra e Patriotit”