Nga roli i individit tek heroizmi, një leksion modern që nga vjen me 4 korrik në formën e kujtimeve të Clelandit
z. Kryeministër
z. ambasador i Shteteve të Bashkuara
z.Kryetar i Bashkisë
zonja dhe zotërinj
Dëshiroj së bashku me bashkëpromovuesit e këtij libri sot, t’ju uroj mirëseardhjen në këtë ceremoni të promovimit të librit “Zemra e Patriotit”, me autor vetë heroin Max Cleland dhe Ben Raines. Posaçërisht dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për praninë e zonjës Linda Din, e cila ka ardhur nga SHBA për këtë ceremoni. Gjithashtu ndjehem i lumtur dhe i kënaqur që shoh të mbledhur miq e kolegë, të cilët i falënderoj që erdhën në promovimit të këtij libri që shpreh forcën e madhe të karakterit njerëzor.
Dua të shpreh përgëzimet e mia për Shtëpinë Botuese 55 për sjelljen me një shqipe mjaft të mirë të këtij le të themi himni të rezistencës njerëzore. Fatmirësisht ky promovim koincidon me dy momente të rëndësishme, 70 vjetorin e këtij heroi të madh amerikan, dhe ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i madh dhe një mik që i është gjendur Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha momentet e tij kritik. Për këtë dua të uroj ambasadorin Arvizu, për ditëlindjen e këtij vendi të madh, këtij populli të madh që me historinë e tij ndryshoi fytyrën dhe dinamikat e zhvillimit të botës.
Duke iu rikthyer librit, nuk do të preferoja të hyj në detaje, për të cilat do të flasë botuesi i librit, por ajo që duhet nënvizuar është forca njerëzore dhe patosi i jashtëzakonshëm i rrëfimit të një historie rrënqethëse. Me një gjuhë që shkon në perfeksion dallojmë emocionet, ndjesitë, mendimet e imagjinatën e një njeriu që mund të humbiste gjithçka.
Kjo është historia e një njeriu që ringrihet nga hiri, tejkalon gjymtimet fizike, dramat e papërshkrueshme emocionale, dhe ashtu siç e thotë dhe vetë, për ta kthyer atë dhimbje në dobinë e dikujt tjetër. Kjo është historia e një ushtari që nga beteja u ngrit në një personalitet të madh politik. Ky libër, kjo histori e jashtëzakonshme, nuk është një histori lufte, përkundrazi është një himn për paqen dhe dashurinë për të, një proverbializim i sakrificave që duhen për ta ruajtur këtë paqe.
Dëshiroj të ndaj me ju një reflektim mbi disa elementë qendror të librit por që janë themeli i asaj që konstituon njeriun, në kuptimin etik të tij.
Ajo që mund të veçojmë së pari është forca e individit dhe roli i tij në shoqëri. Shumë doktrina, e veçanërisht në shoqërinë shqiptare, për shkak edhe të një historie jo shumë entuziaste për sa i përket raportit me individin, kjo forcë, ky rol, i cili në bindjen time është fondamental, nuk ka marrë vlerësimin e nevojshëm. Arsyeja themelore vjen nga ndikimi i determinizmit historik, që e sheh historinë si një dinamikë zhvillimesh të paracaktuara, duke minimizuar e shpesh herë dhe zhdukur rolin e individit. E vërteta është se historia bëhet me akte, dhe aktet shkruhen nga individ, të cilët gjejnë forcën, vullnetin dhe vendosmërinë për të bërë diferencën. Cleland është simboli i individit që ndërlidh, forcën, vullnetin, kapacitetin njerëzor dhe intelektual për të bërë akte, të cilat shkruhen në historinë e një populli. Besoj se ky duhet të jetë një model frymëzimi.
Kjo na sjell një element të dytë mjaft të rëndësishëm që është patriotizmi. Padyshim që romanticizimi i patriotizmit, në një kontekst të caktuar historik, ka një vlerë të pallogaritshme për sa i përket motivimit të një shoqërie, ngritjes së vetëdijes kombëtare etj. Por insistimi në këtë këndvështrim romantik mbi patriotizmin mund të shndërrohet në problem, ashtu siç ka ndodh për hir të së vërtetës. Fakti është se patriotizmi nuk është abstrakt, dhe të qenit patriot nuk është romanticizëm. Të qenit patriot është të jesh i lidhur me familjen tënde, me pronën tënde, me miqtë dhe të afërmit e tu, me vendin tënd. Në këtë kuptim, patriotizmi është shërbim ndaj vetvetes po aq sa edhe ndaj shoqërisë. Ky është dhe mesazhi i një patrioti të madh si Max Cleland.
Së treti nuk mund të lë pa përmendur heroizmin, si një element qendror në jetën e një kombi. Ai është personazhi që mban gjallë frymën kombëtare, krijon lidhjen ndërmjet brezave, dhe përjetësohet në histori. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i heronjve, pikërisht për shkak të raportit që ka shoqëria me individin dhe besimi që ata kanë tek kapacitetet e një individi. Por çdo shoqëri ka heronjtë e saj. Ne kemi heronjtë tanë. Ushtria jonë ka heronjtë e vet. Pak muaj më parë ra një hero i kësaj ushtrie duke luftuar për paqen dhe lirinë e popullit Afgan. Dëshmori i Atdheut, Kapiteni Feti Vogli është simbol i ushtrisë sonë, është frymëzim për shoqërinë tonë. Siç thotë Cleland, “ushtari asnjëherë nuk e zgjedh Luftën e tij. Lufta na zgjedh ne…”. E rëndësishme është që ne ta bëjmë luftën tonë me dinjitet. Dhe lufta nuk bëhet vetëm me armë, por me kontributin e gjithsecilit në atë që ka zgjedhur të bëj në jetë. Çdo njeri mund të jetë hero i vetvetes, i familjes, i miqve e të afërmve. Mund të jetë hero i vendit.
Faleminderit
Fjala e ministrit te mbrojtjes, z. Arben Imami në ceremoninë e promovimit të librit “Zemra e patriotit"